CNN, MS NOW dhe Politico kanë ndërmarrë një betejë ligjore kundër administratës së presidentit amerikan Donald Trump, pasi gazetarëve të tyre iu ndalua hyrja në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.
Tre organizatat mediatike njoftuan të hënën se kanë paraqitur një padi në gjykatën federale në Washington, duke kërkuar rikthimin e menjëhershëm të aksesit për korrespondentët e tyre. Mediat argumentojnë se vendimi i administratës cwnon të drejtat e garantuara nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së, që mbron lirinë e shtypit.
Në një deklaratë të përbashkët, CNN, MS NOW dhe Politico thanë se Shtëpia e Bardhë ua kishte revokuar akreditimet gazetarëve “pa njoftim apo proces”, duke pretenduar se vendimi erdhi për shkak të pakënaqësisë së administratës me raportimin e tyre.
Sipas tyre, kjo masë rrezikon lirinë e shtypit dhe të drejtën e publikut për të pasur një gazetari të pavarur, pa ndërhyrje nga qeveria.
Përplasja nisi të premten, kur Trump njoftoi se CNN, MS NOW dhe Politico do të ndaloheshin nga ambientet e Shtëpisë së Bardhë, duke i akuzuar për publikimin e asaj që ai e cilësoi si “lajme të rreme”. Të nesërmen, gazetarët e tre organizatave u kthyen nga hyrjet e kompleksit dhe iu çaktivizuan ose konfiskuan akreditimet e shtypit.
Trump e ka mbrojtur vendimin duke argumentuar se nuk dëshiron që mediat të publikojnë atë që ai i konsideron “lajme të rreme” për administratën e tij. Presidenti amerikan ka deklaruar gjithashtu se media të tjera mund të përballen me masa të ngjashme.
Në padinë e tyre, tre organizatat mediatike kërkojnë një urdhër të përkohshëm gjyqësor që do t'u rikthente gazetarëve aksesin në Shtëpinë e Bardhë ndërsa çështja shqyrtohet. Ata pretendojnë se ndalimi përbën shkelje të Amendamentit të Parë dhe se administrata nuk mund të përdorë aksesin në institucionet presidenciale si ndëshkim për përmbajtjen e raportimeve.
Çështja rikthen në qendër të vëmendjes përplasjen mes administratës Trump dhe mediave amerikane. Në vitet e fundit, Shtëpia e Bardhë ka ndërmarrë edhe masa të tjera kundër organizatave mediatike, ndërsa gjykatat federale kanë shqyrtuar më parë raste që lidhen me kufizimin e aksesit të gazetarëve.
Tashmë, beteja mes administratës dhe tre organizatave mediatike do të zhvendoset në gjykatë, ku do të përcaktohet nëse ndalimi i gazetarëve nga ambientet e Shtëpisë së Bardhë është i ligjshëm dhe në përputhje me mbrojtjen kushtetuese të lirisë së shtypit.






















