Ndërtekst 2 August 2026, 08:31 Nga VNA

Largimet e hirshme/ “Çdo ditë është udhëtim dhe vetë udhëtimi është shtëpia”

Ndaje në Whatsapp
Largimet e hirshme/ “Çdo ditë është udhëtim dhe

“Çdo ditë është udhëtim dhe vetë udhëtimi është shtëpia”

— Matsuo Basho, Udha e ngushtë drejt veriut të thellë

Në jetën tonë profesionale mësojmë që herët t’u gëzohemi fillimeve. U urojmë mirëseardhjen kolegëve të rinj, brohorasim ngritjet në detyrë, nisim projekte dhe duartrokasim fillimet e reja. Vendet e punës kanë krijuar rituale për ata që vijnë, sepse fillimet dallohen lehtë. Ndërsa përfundimet zakonisht vijnë heshturazi, shenjohen nga ndonjë festë lamtumire, dokument dorëzimi të detyrës, tryezë e zbrazur dhe takimi i fundit.

Mirëpo, herët a vonë, çdo vend pune bëhet ish-vendi i punës. Çdo projekt mbyll faqen e fundit. Çdo rol shndërrohet pak e nga pak në dikë që kemi qenë dikur. Kalojmë vite duke përgatitur njerëzit të mbërrijnë, por shumë pak kohë duke i mësuar si të largohen.

Kur po lexoja “Udha e ngushtë drejt veriut të thellë” (The Narrow Road to the Deep North) të Matsuo Bashos (Matsuo Bashō), pashë se po mendoja më pak për udhëtimin dhe më shumë për largimin. Bashoja ecën nëpër stinë që ndërrohen, fshatra dhe peizazhe, por udhëtimet e tij nuk kanë të bëjnë me mbërritjen në destinacion, por me shndërrimin në person që di të vëzhgojë më me kujdes.

Kjo mund të jetë arsyeja pse një prej vëzhgimeve të tij u ka mbijetuar shekujve: “Çdo ditë është udhëtim dhe vetë udhëtimi është shtëpia”. Ai shpërbën një nga supozimet më të rrënjosura të jetës moderne profesionale, atë se përmbushja na pret gjithmonë diku përpara: pas ngritjes në detyrë të radhës, pas projektit të ardhshëm, pas organizatës tjetër apo kapitullit tjetër të jetës. E shtyjmë kënaqësinë deri në çastin e mbërritjes, duke harruar se pjesa më e madhe e jetës sonë shpaloset në rrugën mes destinacioneve.

Në njëfarë mënyre, jeta profesionale e ushqen këtë iluzion. Karrierat shndërrohen në shkallë për t’u ngjitur dhe objektiva për t’u arritur. Megjithatë, kur kthejmë kokën pas, sa prej nesh e kujtojnë jetën profesionale si një sërë organigramash apo planesh strategjike? Ajo që kujtojmë janë bisedat, kolegu që na ndryshoi mënyrën e të menduarit, gjesti i papritur i mirësisë pas një dite të vështirë, apo ajo fjali që na mbeti në mendje shumë kohë pasi ai që e tha e kishte harruar.

Kam menduar shpesh se vendet e punës e nënvlerësojnë rëndësinë e largimit. Investojmë shumë për t’u uruar njerëzve mirëseardhjen, por rrallë ndalemi të mendojmë se çfarë do të thotë t’i ndihmojmë ata të largohen me dinjitet. Largimet komunikojnë, sepse ato i japin kuptim mënyrës se si njerëzit e kujtojnë vendin e punës shumë kohë pasi janë larguar prej tij. Lamtumira nuk është fundi administrativ i marrëdhënies së punës, por është kapitulli i fundit i marrëdhënies njerëzore brenda një organizate. Dinjiteti me të cilin largohen njerëzit bëhet pjesë e kulturës që mbetet.

Teksa reflektoja për faqet e Bashos, më mbeti në mendje një strofë e tij:

Vjeshta po afron
Vetë kjo zemra ime
Epet drejt dhomës së ngrohtë
Me katër rrogozë e gjysmë

Në lexim të parë, këto vargje kumbojnë si dëshirë e përvëluar për pushim, por, kur i qëmton, dëgjon diçka tjetër. Vjen një stinë kur nuk e masim më jetën me atë se sa larg kemi udhëtuar dhe fillojmë të çmojmë vendet ku, heshturazi, jemi rritur e jemi bërë vetvetja. Largimi nuk është më diçka nga e cila të kemi frikë, por bëhet pjesë e natyrshme e ritmit të jetës.

Kur hedh shikimin pas te seria “Ndërtekst”, kuptoj se dyzet librat që përdora si thjerrë për të këqyrur aspektet e ndryshme të komunikimit në vendin e punës nuk ishin kurrë destinacione. Secili prej tyre u bë pikëndalimi ku më ra në sy diçka që, përndryshe, do ta kisha anashkaluar.

Këtë javë përzgjodha Bashon, sepse e dua haikun. E dua haikun, sepse vite më parë u lodha nga fjalët që nuk kishin peshë. Për mua, shtatëmbëdhjetë rrokjet u shndërruan në një refuzim elegant për ta shpërdoruar gjuhën dhe më mësuan se një çast i vetëm, i vëzhguar me kujdes, mund të mbajë brenda një botë të tërë.

Nuk kemi nevojë për më shumë fjalë. Kemi nevojë për fjalë më të vërteta. Duke lexuar Bashon mësojmë se rruga nuk mbaron kurrë, por thjesht na fton të vazhdojmë të ecim me më shumë vëmendje, me mirënjohje më të thellë dhe me ndjesinë e pashuar të mrekullimit.

Çdo fund është veçse një tjetër shteg drejt botës.

Lexo gjithashtu

Video

Protestuesit janë zhvendosur këtë të enjte edhe para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, ku kanë kërkuar lirimin e personave të arrestuar pak ditë më parë. “Lironi çunat”, kanë qenë thirrjet e përsëritura gjatë tubimit para SPAK. Sot shënohet dita e 110-të e protestës qytetare.

Një kalë që kishte mbetur i bllokuar në një pellg në Valencia të Spanjës u shpëtua përmes një operacioni me helikopter. Kali u nxor në mënyrë të sigurt nga uji dhe më pas iu dorëzua pronarit.

Samir Mane për 2 orë në SPAK, pas vëllezërve Eftimi të “Atelier 4”. Hetimet lidhen me dosjen “Balluku” dhe vilën e sekuestruar në kompleksin “Green Coast” në Palasë, për të cilën SPAK dyshon se është pasuri e fshehur e Belinda Ballukut. Dokumentet, projektet, financimi i punimeve dhe personat që mund të kenë dijeni për pronën janë në fokus të hetuesve. Çfarë po heton SPAK dhe si lidhen emrat e përfshirë me vilën?

Lajmi i Fundit/ Pas dy orësh, del nga ambientet e SPAK Samir Mane. Biznesmeni u pyet në kuadër të hetimeve për Belinda Ballukun.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme