Politika 17 May 2025, 22:04 Nga VNA

Kushner, Rama, Vuçiç: Trekëndësh interesash në kurriz të publikes

Ndaje në Whatsapp
Kushner, Rama, Vuçiç: Trekëndësh interesash në

Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump njëherësh ish-këshilltar i tij në Shtëpinë e Bardhë, u shfaq (me videocall) sot në Tiranë si investitor strategjik, i cili me projektet që ka marrë përsipër në Shqipëri dhe Serbi po e prezanton veten si “shpëtimtari” që po ndërlidh një rajon – që ka dalluar për konflikte – drejt një të ardhme të begatë. Por prezantimi i tij nuk tha gjë për transparencën, konkurrencën, trashëgiminë kulturore dhe çështjet e mjedisit, pika këto të mbrojtura dhe promovuara fort nga Bashkimi Evropian. Në samitin e “Future Investment Initiative (FII) Institute” të quajtur “FII Priority Europe Tirana 2025” – një platformë globale që synon promovimin e dialogut ndërkombëtar mbi investimet dhe zhvillimin ekonomik – Kushner nuk u paraqit fizikisht sikurse pritej, por foli përmes një thirrjeje videofonike. Ai u shfaq si themeluesi dhe drejtori i Affinity Partners, e cila në Shqipëri ka marrë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e dy komplekseve turistike me qindra vila dhe hotele në Zvërnec dhe Sazan. Kushner foli për horizontin e investimeve “në një Shqipëri të bashkuar me një treg në rritje si Ballkani”. Prezantimi si folës në Tiranë vjen rreth një vit pasi projektet e tij në Serbi dhe Shqipëri kanë ngjallur shqetësime. Projekti $500 milionësh për të ndërtuar tre kulla 30 katëshe në truallin e ish-Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes – bombarduar nga NATO në vitin 1999 – është vënë në pikëpyetje këtë javë pasi rezultoi se dy godinave iu hoq statusi si monumente kulture përmes një ekspertize të falsifikuar.

Administrata e Presidentit Vucic e ka justifikuar “marrëveshjen Kushner” me idenë e rritjes së investimeve të huaja dhe se qeveria do të përfitojë 22.5% të të ardhurave nga projekti, ndërsa dhëndri i Trump do të përfshijë në ndërtimin e “Trump Hotel” një memorial për viktimat e bombardimeve të NATO-s dhe një muze kushtuar historisë së ish-ministrisë.

Por, aty ku disa shohin investime, të tjerë shohin përfitime mbi traumat kolektive dhe trashëgiminë historike. Përballë kritikave nga opozita dhe opinioni publik serb se “po jepet truall për influencë politike”, qeveria serbe është mbrojtur duke thënë se trualli “nuk është shitur, por dhënë në përdorim për 99 vjet”. Godinat, të cilat mbartin vlerë arkitektonike të stilit modernist, janë përfshinë në listën e organizatës Europa Nostra mes 7 ndërtesave historike më të rrezikuara në Evropë.

Rasti kujton qasjen që u ndoq me Teatrin Kombëtar në Shqipëri, i cili gjithashtu qe përfshirë në listën e Europa Nostra. Ndërtesës iu hoq statusi monument kulture, dhe pas dy vitesh protesta, me një akt-ekspertimi të kontestuar – pa oponencë teknike – mbrëmjen e 14 majit 2020, Këshilli Bashkiak i Tiranës votëbesoi me email shembjen e tij. Në këtë kontekst, ajo që po ndodh në Beograd me projektet e Kushner, dhe e shkuara aspak pozitive me procedurat e ndjekura për projektet e mëdha të infrastrukturës dhe investimeve publike në Shqipëri, vjen si paralajmërim i asaj që po i afrohet brigjeve të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit: Dy resorte gjigande me të paktën 10 mijë dhoma, të cilat do të ndërtohen pavarësisht shkeljeve të mundshme në procedura dhe ligje. Në janar, Citizens.al shpjegoi se si Kushner siguroi të drejtën për të zhvilluar Sazanin nëpërmjet një procesi që ngjan më shumë si manovër politike për të fituar përkrahjen e familjes dhe Presidentit amerikan, Donald Trump, sesa garë transparente për zhvillimin e turizmit. Nga një “vizitor” i ftuar nga autoritetet shqiptare, brenda pak muajve Kushner u shndërrua në “investitor strategjik”, ndërkohë që legjislacioni për zonat e mbrojtura ndryshoi me urgjencë për të lejuar ndërtimet në territore të ndjeshme ekologjikisht siç është zona e Zvërnecit dhe Sazanit. Pjesëmarrja e Kushner si folës kryesor në forumin e investimeve këtë fundjavë në Shqipëri konfirmon se projektet e tij kanë mbështetje politike të nivelit të lartë në Shqipëri dhe Serbi. Ai zbuloi se nisma për të investuar në Sazan dhe Zvërnec i erdhi pasi takoi Ramën në një vizitë turistike në vitin 2021 dhe mori dijeni për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, e cila ishte një incentivë për projektin e madh turistik jo shumë larg tij. Ishulli i Sazanit përmban monumente natyrore si “Barriera koralore e grykës së Djallit” dhe “Faleza e Sazanit”, të cilat janë të mbrojtura me ligj. Ndërtimi në këtë zonë ngre pikëpyetje mbi ruajtjen e pasurisë natyrore dhe ndikimin në ekosistemet lokale. Projekti i Jared Kushner per Zvernecin/Kushner,X. “Zona është 60 milje larg nga Italia, 60 milje larg nga Korfuzi dhe një aeroport po ndërtohet jo shumë larg, kështu që është një mundësi fantastike investimi,” tha Kushner, sipas së cilit mjedisi në zonë do të ruhet. Megjithatë ai nuk tregoi aspekte konkrete se si do ta bënte këtë. Por a është kjo ajo që i duhet Shqipërisë, një vendi që pret të integrohet në BE?

Çështja nuk është vetëm për luksin që pretendon të sjellë Kushner, i cili tregoi se familjarisht do të ketë një rezidencë në zonën ku po investon në Shqipëri. Është për precedentët që po konfirmohen: Zhvillimi i zonave të mbrojtura pa konsultim publik, në mungesë të plotë transparence në procesin e përzgjedhjes së investitorëve, dhe lidhjet e dyshimta mes interesave të politikës dhe kapitalit ndërkombëtar. Për Shqipërinë, rasti i Sazanit dhe Zvërnecit nuk është thjesht çështje turistike, por një provë për integritetin e institucioneve të saj përballë rasteve që përsëriten: Aeroporti i Vlorës, Marina e Vlorës, Marina e Durrësit dhe në horizont Divjaka apo zonat e mbrojtura në male të kërcënuara nga e ashtuquajtura “Paketa e Maleve”. Prej vitit 2024 kur Kushner bëri publik projektet, pak ose aspak është bërë me dije nga autoritetet shqiptare. Prej janarit 2025 kur u mësua se Kushner mori statusin 10-vjeçar të investitorit strategjik nuk dihet gjë për vijimin e procedurave të mëtejshme. Palët do të duhet të vendosnin për mënyrën se si do t’i jepen Kushnerit mbi 45 hektarë truall dhe formulën e partneritetit publik-privat, – me gjasë do të zbatohet formula që i dha rreth 80 hektarë të Portit të Durrësit projektit me plot dritë-hije “Durrës Yacht & Marina” të Mohamed Alabbar ku Autoriteti Portual Durrës mbajti 33% të aksioneve – por nga qeveria dhe Korporata e Investimeve nuk ka transparencë nëse është arritur ndonjë marrëveshje dhe nëse po, cila është ajo. Në regjistrat e qeverisë është dhe shembulli i keq i “Marina di Valona”, ku sipërmarrësit Geront Çela iu dha statusi i investitorit strategjik dhe mundësia për të privatizuar 5.75 hektarë të portit të Vlorës përmes ligjit kontrovers “Shqipëria 1 euro”. Nëse historia e këtyre projekteve përsëritet – dhe gjasat janë që të ndodhë – atëherë kjo nuk është më rastësi, por një strategji që kërkon të zhbëjë përfundimisht kufijtë mes privatit dhe publikes, fitimit dhe përgjegjësisë, kufij shumë larg “begatisë” që Kushner prezantoi në platformën “FII Priority Europe Tirana 2025”, kufij të një praktike korruptive ndikimi për influenca dhe pushtet.

Erblin Vukaj/ Citizens.al

Video

Momente dramatike nga Kruja! Përpjekje për të shuar flakët, ndërsa zjarri ka marrë përmasa të frikshme dhe po rrezikon banesat.

Këto janë pamjet e momentit kur Kristian Sterjo, i dyshuari për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë, shoqërohet nga policia drejt furgonit të uniformave blu. Pas disa orësh kërkime, policia ka bërë të mundur kapjen e tij në afërsi të banesës. Sterjo po shoqërohet në komisariat, ku pritet të vijojnë procedurat e mëtejshme hetimore dhe ligjore. Vrasja ndodhi pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të Korçës, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.

Këto janë pamjet e arrestimit të Renardo Nallbanit, i shpallur në kërkim prej rreth dy vitesh në kuadër të hetimeve për dosjen e inceneratorit të Tiranës. Nallbani u lokalizua nga shërbimet e Policisë së Vlorës në vilën e tij në Palasë, ku edhe u bë arrestimi. Ai akuzohet për disa vepra penale në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, ndërsa pas arrestimit pritet të transferohet në Tiranë për vijimin e procedurave ligjore.

Pamje nga vendi i ngjarjes në Korçë, aty ku u vra 20-vjeçari Johan Zuko Këto janë pamjet nga pallati në lagjen 14 të Korçës, ku ndodhi vrasja e 20-vjeçarit Johan Zuko. Sipas informacioneve paraprake, i riu dyshohet se ishte duke u ndjekur nga autori dhe tentoi të fshihej brenda pallatit, por u kap nga autori dhe u qëllua me armë zjarri.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme