Ndërtekst 5 August 2026, 14:01 Nga VNA

“Kur pushteti bëhet murtajë: ‘Vjeshta e Patriarkut’, romani që zhvesh diktatorin nga miti”

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-08-05 at 1.59.15 PM.jpeg

Nga Agim Baçi

Gabriel García Márquez e shndërron “Vjeshtën e Patriarkut” në një nga romanet më të fuqishme mbi natyrën shkatërrimtare të pushtetit absolut. Agim Baçi, në këtë shkrim, ndalet te mënyra se si autori ndërton portretin e Patricio Aragones, një ish-ushtarak që fillimisht sjell triumf për bashkëqytetarët e tij, por më pas kthehet në mishërimin e një pushteti që njeh vetëm veten.

Patriarku është njeriu që, pasi i duhet vendit, përfundon duke e dashur atdheun vetëm për vete. Ai beson vetëm gjeneralin Rodrigo de Aguilar, të cilit i beson postin e ministrit të Mbrojtjes, drejtimin e shërbimit sekret dhe komandën e gardës presidenciale. Ndoshta pikërisht sepse gjenerali ka humbur krahun e djathtë duke çmontuar dinamit dhe nuk përbën më asnjë kërcënim për të. Është i vetmi njeri që lejohet ta mundë patriarkun në domino.

Márquez e vendos patriarkun në mbretërinë e mosbesimit të plotë, të rrethuar nga njerëz që ushqehen vetëm nga interesi dhe që, pikërisht për këtë arsye, e izolojnë gjithnjë e më shumë nga realiteti. Në këtë rrugëtim ndërtohet “vjeshta” e tij, një stinë ku bien, një nga një, gjethet e normales.

“… do të mbaj vetëm gardën presidenciale që janë njerëz të drejtë dhe trima dhe nuk do të emëroj më as kabinet qeveritar, ç’dreqin duhet, vetëm një ministër të mirë të Shëndetësisë, i vetmi që nevojitet në jetë, dhe ndoshta një tjetër që të ketë shkrim të bukur për shkresat që do të duhen… dhe vetëm unë mjaftoj e teproj për të komanduar deri sa të kalojë sërish kometa…”

Diktatori arrin deri aty sa sajon dy herë vdekjen e tij për të zbuluar se kush gëzohet, vetëm që më pas të pastrojë edhe më tej rrugën drejt shkretëtirës së vetmisë.

Loja e tij me vdekjen shënon fazën më të errët të pushtetit, ku perversiteti bëhet mënyra e vetme e të jetuarit. Edhe e ëma, Bendición Alvarado, që dikur kishte brohoritur me krenari: “Po ta kisha ditur që im bir do të bëhej president i republikës, do ta kisha dërguar në shkollë”, përfundon e mënjanuar në një rezidencë të largët, duke i çuar fshehurazi të birit lëng tamarindash, ndërsa shkon drejt fundit të jetës.

Ndërkohë, Leticia Nazareno mbetet e vetmja grua që arrin ta urdhërojë patriarkun, pa e zotëruar kurrë në shtrat, aty ku ai kërkon të jetojë vetëm në magjitë e dëshirave dhe fantazive të tij.

Me stilin e tij të pangatërrueshëm, Márquez tregon se zgjerimi i pushtetit dhe izolimi nga realiteti ecin gjithmonë bashkë. Çdo mur që ngre diktatori për të mbrojtur pushtetin, bëhet edhe një mur më shumë i vetmisë së tij. Kështu ndodh me ata që vijnë në emër të lirisë dhe përfundojnë si tiranë.

Në fund, mbetet vetëm murtaja e pushtetit, që sjell peshën e rrëzimit. Dritaret mund të mbeten hapur, era mund të fryjë, por nuk arrin të largojë kalbëzimin. Lopët që parakalojnë në pallatin presidencial bëhen metafora e banalitetit të pushtetit të pakufishëm, ku njeriu nuk njeh më askënd dhe askush nuk e njeh më atë.

“Vjeshta e Patriarkut” nuk është vetëm një roman. Është një poemë mbi natyrën njerëzore, mbi mënyrën se si diktatura mposht instinktet më të mira dhe nxjerr në sipërfaqe errësirën, perversitetin, dyshimin dhe vetminë. Romani është ndërtuar si një fjali e gjatë, me pak shenja pikësimi, duke ia lënë lexuesit detyrën të vendosë ritmin dhe kuptimin, ashtu si në vetë jetën.

I sjellë mjeshtërisht në shqip nga Mira Meksi dhe botuar nga “Onufri”, “Vjeshta e Patriarkut” mbetet një nga veprat më të mëdha të Gabriel García Márquez, një murale e gjallë e gjuhës dhe mendimit, ku pushteti shfaqet si forca që përpiqet të mposhtë njeriun, duke e ushqyer vetëm me dyshim – burimin që helmon shpirtin njerëzor.

Lexo gjithashtu

Video

LAJMI I FUNDIT/ Vrasje në Sarandë. Krimi ndodhi pak minuta më parë. Detajet në përditësim

Qytetari e lag me ujë, kryeministri hungarez e merr me sportivitet dhe publikon videon Një episod i pazakontë i ka ndodhur kryeministrit të Hungarisë, Péter Magyar, gjatë vizitës së tij në Szekszárd. Teksa ndodhej mes qytetarëve në festën tradicionale të vjeljes, një person e lagu me ujë. Magyar nuk e dramatizoi incidentin, por e mori me sportivitet dhe vendosi ta publikonte vetë videon në rrjetet sociale. Kryeministri ironizoi edhe autorin e veprimit, duke e quajtur një “luftëtar të rënë të Orbánit”. Ai shtoi se personi nuk pati guximin t’i afrohej dhe ta shikonte në sy.

Belinda Balluku bën “bilancin” e halleve të qytetarëve në Fier: “Vetëm sot janë 431”.

Një skenë e rrallë dhe prekëse është filmuar në brigjet e Gold Coast, Australi. Një balenë humpback qëndroi për orë të tëra pranë këlyshit të saj të lindur të ngordhur, duke e prekur me kokë dhe pendë dhe duke ruajtur kontaktin me të. Studiuesit e cilësojnë si një sjellje jashtëzakonisht të rrallë, që mund të lidhet me reagimin ndaj humbjes, edhe pse shkencëtarët theksojnë se nuk mund të përcaktohet me siguri nëse bëhet fjalë për “zi” në kuptimin njerëzor. Pamjet, të regjistruara në vitin 2025, po i ndihmojnë studiuesit të kuptojnë më mirë lidhjen mes nënës dhe të voglit te balenat dhe mënyrën se si ato reagojnë ndaj vdekjes. E plotë tek linku në komentin e parë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme