
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nëpërmjet vendimmarrjes së Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për rastin “Lapaj”, ka vendosur më në fund një standard.
Siç e kemi raportuar edhe më parë, hartimi i listave “fake” nga koalicioni “Shqipëria Bëhet”, rrezikonte të çertifikonte një mekanizëm pazari të kandidatëve kusherinj, që pranonin të fusnin emrin në lista dhe pastaj dorëzonin dorëheqje meqë qenkëshin bërë pishman që kandiduan!
Kaq publike dhe e paturp u bë e gjitha saqë vetëm një akt publik nga KQZ mund ta rrëzonte këtë falsitet, që po rrezikonte të shndërrohej në normë.
Adriatik Lapaj vijon të mbrohet me gjasme lirinë që paskan kandidatët për t’u dorëhequr, kur askush nuk ua mohon këtë të drejtë.
Më në fund, KQZ tha se dorëheqja bëhet në Kuvend, tek Komisioni i Mandateve dhe Imunitetit, dhe jo në KQZ.
Pse Lapajt i pëlqen dorëheqja tek Komisioneri dhe jo në Kuvend?
Lapaj insiston të mbrohet me marrëveshjen që paska bërë me kandidatët, me të cilët në emër të sfidës ndaj politikës së vjetër mbushte listat me kandidatë fake.
Megjithëse edhe vetë përfaqësuesit e Lapajt në KQZ e pranuan që kjo nuk është praktikë ligjore.
Por për ta realizuar këtë praktikë, Lapajt i duhej edhe marrëveshja me institucionet. Sepse ato dorëheqje duheshin pranuar nga institucionet!
Sipas KQZ, Kushtetuta dhe Kodi detyrojnë refuzimin, pranimin ose lëshimin e mandatit në organet e Kuvendit.
Me cilën marrëveshje Lapaj kishte siguruar pranimin e dorëheqjeve nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve?
Tashmë beteja pritet të transferohet në Kolegj, ku Administratës së KQZ-së i takon të mbrojë vendimin më të fundit të marrë me votë unanime, si pak syresh.
A do tentojë Komisioneri të mbrojë marrëveshjen e tij me Lapajn në Kolegjin Zgjedhor?
Këtë mbetet ta verifikojmë në ditët në vazhdim, por sido që të ndodhë, topi sot ndodhet në fushën e Kuvendit.
Sovranin nuk e ndalon më askush që të vendosë kryesisht, që të zbatojë standardin përshkruar nga vendimi i KQZ.
Dhe jo vetëm për rastin “Lapaj”, por për gjithë Shqipërinë që bëhet me kusherinj e fis.
Komisionerit, nga ana e tij, me përgjegjësi profesionale dhe institucionale, i takon të ribëjë aktet për ndarjen e mandateve.
Vetëm në këtë mënyrë marrim një mësim të mirë edhe ne, që herë pas here mendojmë të mendojmë se ai paska bërë marrëveshje private në kurriz të ligjit.
Dhe në një vend ku marrëveshjet janë pazare politike, kjo nuk do të ishte as hera e parë… për fat të keq as e fundit.