
Një foto e publikuar së fundmi në disa media pranë qeverisë ka rikthyer në qendër të debatit publik mënyrën se si Kryeministri Edi Rama menaxhon perceptimin për udhëtimet e tij të shumta jashtë vendit. Në imazh, Rama shfaqet i ulur pranë bashkëshortes në një avion të linjës ajrore, duke fjetur, në atë që pretendohet se është “klasa ekonomike”. Kjo pamje, e shoqëruar me tituj si “Rama fotografohet me familjen në economy class”, u servir si një përgjigje ndaj kritikëve që prej vitesh e akuzojnë kreun e qeverisë për shpenzime marramendëse në fluturime me charter privat.
E vërteta është se që nga fundi i vitit 2022, pas hakerimeve të sistemit TIMS nga grupi iranian, janë bërë publike të dhëna që tregojnë se kryeministri ka përdorur avionë privatë charter në të paktën 137 raste. Sipas ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, çdo orë fluturimi i Ramës ka kushtuar deri në 15 mijë euro, ndërsa për periudhën 2013–2022, shifra totale e shpenzimeve të udhëtimeve ajrore të tij llogaritet në mbi 22 milionë euro. Në vend që të japë një përgjigje të qartë dhe transparente, kryeministri ka zgjedhur të anashkalojë akuzat me arsyetime kontradiktore – fillimisht duke i mohuar, më pas duke folur për një “marrëveshje promocionale” me kompaninë Air Albania dhe në fund duke pretenduar se ai shërben si simbol promovimi për linjën ajrore kombëtare.
Kjo linjë mbrojtjeje është shoqëruar me një retorikë të fortë ndaj kritikëve, të cilët janë quajtur “hiena”, “rublaxhinj” apo “gjobaxhinj të ekraneve”. Në vend të llogaridhënies dhe transparencës që i takon një zyrtari të lartë publik, kemi parë një përpjekje për të ndryshuar narrativën me ndihmën e mediave pranë qeverisë dhe një komunikim të ndërtuar mbi ofendime dhe shmangie të thelbit të problemit.
Fotoja e fundit, ku Rama shfaqet në një udhëtim "modest", nuk mund të fshijë dhjetëra udhëtime të tjera të kryera me avionë privatë. Për më tepër, ajo nuk jep asnjë informacion mbi kostot reale, që vazhdojnë të jenë të paqarta për publikun. Pyetja që lind natyrshëm është: a është kjo një përpjekje e orkestruar për të mbuluar udhëtimet luksoze të kryeministrit me charter?