Nga Vehap Kola
Një ekspozitë e financuar nga Kuvendi i Kosovës ka hapur një çështje shumë më të madhe sesa një debat kulturor apo historiografik. Ekspozita e bazuar në librin e Shkëlzen Gashit dhe është financuar nga Kuvendi i Kosovës. Në disa panele të saj, dhjetëra viktimat shqiptare të masakrave, përfshirë rastin e Dubravës, paraqiten si “persona të armatosur”. Pas reagimeve publike, Komuna e Prishtinës ia hoqi lejen ekspozitës, ndërsa Kuvendi deklaroi se përmbajtja mbetet përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve. Vetë Gashi tha se është mbështetur te lista e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe se Kosova ende nuk ka një listë zyrtare e gjithëpërfshirëse të të vrarëve.
Këto episode i japin Serbisë municion narrativ. Në luftën moderne, sidomos në Ballkan, narrativa është armë. Kur një institucion i Kosovës financon material me formulime të paqarta ose të gabuara për viktimat shqiptare, Beogradi fiton një fjali të artë për përdorim diplomatik dhe propagandistik: “edhe vetë institucionet e Kosovës po e pranojnë se nuk kanë të qartë kush ishte civil e kush i armatosur.” Kjo nuk është fitore ligjore për Serbinë, por është fitore në fushën e ndikimit, dyshimit dhe relativizimit.
Kjo është veçanërisht e rrezikshme sepse Serbia prej kohësh e zhvillon betejën me arkiva të selektuara, me diplomaci agresive, me media, me prodhim ekuivalencash morale dhe me futjen e tezës se “të gjithë kanë bërë krime, pra askush s’ka të drejtë të flasë nga pozita morale.” Në këtë lojë, çdo pasaktësi nga pala shqiptare shumëfishohet. Një gabim në Prishtinë bëhet “provë” në Beograd, “burim” në media ndërkombëtare periferike, pastaj “dyshim legjitim” në qarqe diplomatike ku askush nuk ka kohë të futet në imtësi. Kështu funksionon lufta hibride.
Pasoja e dytë është e brendshme, dhe është po aq serioze. Këto episode e copëtojnë kohezionin kombëtar të kujtesës. Kosova ka nevojë për një arkitekturë të fortë të memories shtetërore: të verifikuar, të dokumentuar, të mbrojtur institucionalisht dhe të imunizuar nga amatorizmi, revizionizmi apo aktivizmi i papërgjegjshëm. Kur kjo nuk ekziston, kujtesa kalon në duar të aktorëve të fragmentuar: OJQ, autorë individualë, polemistë, parti, familje dëshmorësh, veteranë e media. Atëherë kujtesa resht së qeni shtetformuese dhe bëhet arenë e luftës së brendshme. Për pasojë, rivali i jashtëm fiton pa shpenzuar asgjë.
Pasoja e tretë lidhet me aleatët. NATO ka rikonfirmuar këtë muaj angazhimin e saj të fortë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes në Kosovë. Në të njëjtën kohë, ka raportime dhe debate publike për mundësinë e një reduktimi të pranisë amerikane në KFOR, gjë që ka shkaktuar shqetësim në Washington dhe Evropë, edhe pse nuk ka njoftim zyrtar nga NATO për një ndryshim të madh të menjëhershëm. Kjo do të thotë se ombrella e sigurisë është ende aty, por nervozizmi strategjik është real. Pikërisht në një klimë të tillë, Kosova nuk ka luksin të prodhojë vetë plasaritje në legjitimitetin e saj narrativ.
Kjo i jep Serbisë legjitimitet polemik, propagandistik dhe psikologjik. I jep të drejtën që të thotë: “Historia e Kosovës nuk është aq e pastër sa pretendohet.” I jep mundësinë të relativizojë krimet serbe. I jep hapësirë t’i paraqesë strukturat e UÇK-së jo si forcë çlirimtare e dalë nga një popull nën shtypje, por si subjekt të dyshimtë që paska instrumentalizuar viktimizimin, pikërisht tani përpara vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë. Edhe pse këto teza janë të pavërteta, ato bëhen funksionale politikisht kur vetë pala jonë ua lehtëson punën.
Parashikimi im është ky. Në afatin e shkurtër, Serbia do ta përdorë këtë lloj rasti për intensifikim të luftës informative, për të shtuar presionin diplomatik dhe dobësuar gradualisht kredibilitetit e Kosovës në sytë e aktorëve të lodhur perëndimorë. Me KFOR-in ende në terren dhe me NATO-n që zyrtarisht mban linjë angazhimi, një hyrje e drejtpërdrejtë ushtarake serbe në Kosovë mbetet skenari më pak i mundshëm tani për tani; më i mundshëm është skenari i presionit hibrid, krizave të kontrolluara në veri, instrumentalizimit të serbëve lokalë, operacioneve të ndikimit dhe prodhimit të vazhdueshëm të krizës së besimit.
Në afatin e mesëm, rreziku më i madh për Kosovën nuk është që Serbia të fitojë menjëherë në terren. Rreziku më i madh është erozioni i ngadaltë: lodhja e aleatëve, fragmentimi i mesazheve brenda Kosovës, delegjitimimi i elitës shtetformuese, dhe normalizimi i tezës se “e vërteta është diku në mes.” Për një shtet të vogël dhe të ri si Kosova, kjo është minë me sahat. Shtetet e vogla nuk mbijetojnë vetëm me moral, por pa moralin publik dhe pa qartësinë historike, ato humbin edhe mbështetjen strategjike.
Nëse Kosova nuk e centralizon, verifikon dhe zyrtarizon memorien e luftës me standarde të larta shkencore, juridike dhe arkivore, raste si ky do të përsëriten. Dhe çdo përsëritje do të jetë një fitore në tavolinë për Beogradin. Jo sepse Serbia ka të drejtë, por sepse Kosova po i jep material që Serbia ta përdorë kundër saj.






















