Opinion 12 March 2026, 14:05 Nga VNA

Nga “i përkëdheluri” i ambasadorëve te polemikat me ta. Reagimi i Ramës për Ballukun dhe hendeku mes deklaratave për drejtësinë dhe vendimit të kuvendit

Ndaje në Whatsapp
Nga “i përkëdheluri” i ambasadorëve te polemikat me

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratave të ambasadave të Gjermanise dhe Mbretërisë së Bashkuar lidhur me vendimin e Parlamentit për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Belinda Balluku.

Në reagimin e tij, Rama shkruan se është 100% dakord me parimet e shprehura nga ambasadat: luftë kundër korrupsionit, ndjekje penale efektive dhe pavarësi e drejtësisë.

Problemi është se këto deklarata erdhën pikërisht në ditën kur shumica qeverisëse në Kuvend refuzoi t’i hapë rrugë hetimit ndaj një zyrtareje të nivelit më të lartë të qeverisë.

Pra, mes deklaratës dhe veprimit ekziston një hendek i qartë.

Nga njëra anë Rama thotë se mbështet reformën në drejtësi, pavarësinë e gjyqësorit dhe SPAK-un.

Nga ana tjetër, kur prokuroria kërkon të ndërmarrë një hap hetimor ndaj një ministreje të rëndësishme të qeverisë, shumica parlamentare vendos të vendosë një frenë politike.

Rama thekson se Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe se hetimi duhet të vazhdojë i qetë dhe pa presion.

Por pikërisht për këtë arsye SPAK kërkoi të vazhdojë hetimin.

Dhe pikërisht këtë hap Parlamenti vendosi ta ndalojë.

Kryeministri përpiqet ta paraqesë vendimin si një procedurë normale parlamentare, duke thënë se çdo parlament demokratik europian do të kishte vepruar njësoj.

E megjithatë, deklaratat e ambasadave tregojnë se pritshmëria e partnerëve ndërkombëtarë është e qartë: korrupsioni duhet të hetohet edhe në nivelet më të larta të pushtetit dhe pa pengesa politike.

Në fund të reagimit të tij Rama përsërit objektivin e madh të qeverisë: Shqipëria 2030 në Bashkimi Europian.

Në fakt, një slogan që tingëllon mirë në deklarata.

Por, me një sy më të kujdesshëm vihen re disa risi në këtë reagim flakë për flakë të Ramës ndaj ambasadave.

Së pari, është hera e parë, në 13 vite, që Rama iu kundërvihet ambasadorëve të Tiranës.

Ka qenë gjithnjë “i përkëdheluri” i tyre, me dorën në qafë.

Ky reagim “përshëndetës” tregon qartë se raporti i përkëdheljes është vetëm një kujtim i bukur, i dikurshëm.

Së dyti, vihet re nervozizmi i Ramës.

Ky lider global, që asnjëherë nuk ka denjuar t’i konsiderojë si interlokutorë ambasadorët, sepse ishte i denjë të komunikonte me liderët e atyre vendeve, sot ndihet i acaruar dhe, për këtë arsye, reagon edhe ndaj fjalëve të ambasadorëve.

Një ulje drastike dhe një shfryrje e nivelit global ku e ka shitur veten Rama.

Së treti, ka humbur shkëlqimin e dikurshëm në qëndrimet e veta, kur i qëndronte tezave që, sidoqoftë, kishin një bosht racional në çfarëdo pozicioni.

Si një njeri i vogël i zënë në faj, tashmë kërkon të mohojë atë që të gjithë e panë dhe e paralajmëruan të mos e bëjë.

Mosheqja e imunitetit është pengesë direkte, e fortë, dekurajuese dhe thelbësore për SPAK.

Rama iu thotë se të mos heqësh imunitetin, pra të mos aplikohen masat e sigurimit që kërkon SPAK, nuk është pengim i SPAK.

Një absurd logjik bajat.

Mjerimi i argumentit, mesa duket, nuk ka më asnjë argument logjik në situatën ku ndodhet.

Së katërti, mungesa e plotë e argumenteve demonstrohet edhe nga ngasja patetike dhe autodifensive e tij, teksa aludon se edhe parlamentet e atyre vendeve europiane do të bënin të njëjtën gjë siç bëri Parlamenti i Shqipërisë.

Përpjekje e qartë dhe autosugjestionuese për zvogëlimin e fajësisë.

Duhet të jetë rëndë emocionalisht dhe nën ankth, sepse nuk ka shpjegim logjik për argumentin e tij.

Së pesti, i rënduar emocionalisht, i qartë se ka shkelur me faj një vijë demarkacioni të rëndë, por ama tamam si një njeri i vogël i zënë në faj, tenton ta hedhë fajin dikujt tjetër.

Aludimi se drejtësia po vepron në këtë rast e shtyrë nga faktorë “jashtë kufijve të pushtetit gjyqësor” është aludim i pastër se faji nuk është i tij, por i atyre ndërkombëtarëve “jashtë kufijve” që e kanë shtyrë SPAK-un.

Duke shantazhuar, pse jo, edhe ndërkombëtarët, sepse sipas tij ai e di që kjo nuk është vepër drejtësie, por vepër politike ndërkombëtare.

Me fjalë të tjera, drejtësia është e pabesueshme dhe, po kështu, edhe ndërkombëtarët.

Së gjashti, kjo qasje e tij të çon në një përfundim tjetër logjik: se Rama tashmë është futur në paranojë.

Ai aludon kështu për një konspiracion ndërkombëtar kundër tij, me duart e drejtësisë shqiptare.

Dhe nëse do të kishte pikë të shtatë, do të mjaftonte vetëm një fjali: kur është hera e fundit që kryeministri i Shqipërisë ka qenë në një vizitë zyrtare në një vend të Bashkimit Europian?

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme