
Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka deklaruar se hetimi ndaj ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mbetet një nga çështjet prioritare të institucionit që ai drejton.
Gjatë një takimi informal me gazetarët, Braho bëri të ditur se hetimet për këtë dosje po vijojnë me intensitet, ndërsa kontrollet e zhvilluara këtë të enjte janë pjesë e veprimeve hetimore të ndërmarra nga SPAK.
“Është çështje në hetim. Është ndër çështjet më prioritare. Janë 9 oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe 2 prokurorë që po merren me këtë çështje. Kontrollet e sotme janë vijim i hetimeve. Kur të përfundojnë hetimet do të dalim me një hetim më të plotë”, deklaroi Braho.
I pyetur nëse Prokuroria e Posaçme do t’i drejtohet sërish Kuvendit me një kërkesë të re për çështjen e imunitetit të Ballukut, kreu i SPAK nuk dha një përgjigje konkrete, por theksoi se një vendim i tillë do të varet nga zhvillimi i hetimeve dhe provat e administruara.
Sipas tij, hetimet kanë vijuar edhe pas vendimit të mëparshëm të Kuvendit dhe kanë avancuar më tej.
“Hetimet, edhe pas atij vendimi, kanë vazhduar me intensitet. Kanë ecur më tej. Nuk mund të them nëse do të bëhet apo jo një kërkesë e re. Vendimi do të kushtëzohet nga rrethanat e hetimit dhe rezultatet që do të kemi. Parlamenti ka marrë një vendim për një kërkesë që ne kemi bërë dhe nuk mund të shkojmë sërish me të njëjtat prova”, u shpreh Braho.
Hetimi ndaj Ballukut vijon të jetë një nga dosjet më të ndjekura publike të SPAK, ndërsa Prokuroria e Posaçme së fundmi ka kryer katër kontrolle të tjera.






















