
Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 shtator për shqyrtimin në dhomë këshillimi të rekursit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”.
Rishqyrtimi vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila detyroi Gjykatën e Lartë të japë një arsyetim të plotë se përse masa e arrestit me burg është e vetmja masë e përshtatshme në rastin e Veliajt.
Çështja do të shqyrtohet nga Kolegji Penal i përbërë nga Sandër Simoni, në cilësinë e relatorit, si dhe Valbon Çekrezi dhe Genti Shala, anëtarë.
Më herët, gjyqtarët Sokol Binaj dhe Albana Boksi dhanë dorëheqjen nga shqyrtimi i rekursit, pasi kishin marrë pjesë në shqyrtimin e kërkesave të mëparshme të paraqitura nga Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës është i pandehur dhe po gjykohet në GJKKO për 13 akuza penale, që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë, së bashku me bashkëshorten e tij dhe disa të pandehur të tjerë.
Ndërkohë, ditët e fundit, SPAK ushtroi kontrolle në Bashkinë e Tiranës në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “Veliaj 2”.






















