Në Gjykatën e Posaçme vijon gjyqi në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, ku kjo e fundit po paraqet kundërshtimet e saj ndaj provave të paraqitura nga SPAK.
Kryemadhi deklaroi se aktakuza është ndërtuar mbi “interpretime dhe deduksione” të komunikimeve elektronike, duke pretenduar se një pjesë e mesazheve dhe email-eve janë shkëputur nga konteksti për të rënduar pozitën e saj.
“Janë 70 faqe vetëm për fibrën optike. Provat shkresore nuk vërtetojnë ndërhyrje. Organi i akuzës më numëron qimet e shtëpisë dhe mi nxjerr në media. Nga 167 email-e që kam me Adrian Shatkun, SPAK ka përdorur vetëm katër, ndërsa të tjerat nuk kanë lidhje me akuzën”, u shpreh ajo.
Sipas Kryemadhit, në dosje janë përfshirë SMS të veçuara, si komunikimi “U firmos nga gjithë ministrat” dhe përgjigjja “Shkëlqyer”, të cilat, sipas saj, nuk provojnë asnjë veprim të paligjshëm. Ajo shtoi se vendimi i qeverisë për të cilin bëhet fjalë nuk ishte miratuar nga Ministria e Inovacionit dhe se komunikimet janë interpretuar në mënyrë selektive.
Gjatë seancës, gjyqtari i kërkoi të përqendrohej vetëm te objekti i gjykimit dhe të ishte më e përmbledhur.
“Këtu nuk flitet për gjithçka bëni ju, vetëm për objektin e gjykimit. Jo çdo lloj komunikimi që keni pasur në jetën tuaj”, iu drejtua gjyqtari.
Kryemadhi u përgjigj se vetëm për çështjen e fibrës optike organi i akuzës ka përdorur 65 mesazhe dhe se është e detyruar t’i trajtojë ato. “Duke parë dosjen vetë, çdo ditë rezulton nga një provë e keqinterpretuar. Jam llahtarisur”, tha ajo.
Ish-deputetja ngriti gjithashtu pikëpyetje për përfshirjen e Ilir Metës në këtë pjesë të akuzës.
“Nëse në komunikime janë Monika Kryemadhi, Adrian Shatku dhe Edi Rama, ç’punë ka Ilir Meta? Standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjitha provat. Janë marrë vetëm komunikime selektive, në një kontekst krejt tjetër. Asnjëra nuk përmban ushtrim të ndikimit të paligjshëm”, deklaroi ajo.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk i pranojnë akuzat e SPAK dhe pretendojnë se procesi ndaj tyre është i motivuar politikisht. Ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi po gjykohet nën masën e detyrimit për paraqitje.






















