Një avion i lehtë që përfundon në qendër të një alarmi sigurie pranë një centrali bërthamor në Francë dhe një jaht luksoz me vlerë 930 mijë euro i sekuestruar në kuadër të një hetimi për pastrim parash. Dy episode të ndryshme, por që sot bashkohen në të njëjtin emër: Ermal Beqiri, biznesmeni shqiptar i shpallur në kërkim nga SPAK, emri i të cilit është rikthyer në qendër të vëmendjes pas raportimit të gazetës franceze Le Journal du Dimanche (JDD). Gazeta shkruan se piloti shqiptar i ndaluar pasi fluturoi në mënyrë të paligjshme mbi centralin bërthamor të Penly dyshohet të jetë pikërisht Beqiri, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet franceze.
Në Shqipëri, Ermal Beqiri konsiderohet nga SPAK si një nga personazhet kyç të dosjes së AKSHI-t, një prej hetimeve më të mëdha të viteve të fundit për korrupsion dhe manipulim të tenderëve publikë në sektorin e teknologjisë së informacionit. Sipas prokurorisë, ai dyshohet se ka qenë pjesë e një mekanizmi të mirëorganizuar që favorizonte kompani të caktuara në procedurat e prokurimit publik, duke eliminuar konkurrencën dhe duke orientuar kontrata me vlera miliona euro.
Mbi Beqirin rëndojnë disa nga akuzat më të rënda të ngritura në këtë dosje, përfshirë pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, pastrimin e parave, shkeljen e barazisë në tendera, korrupsionin në procedurat e prokurimit, konkurrencën e paligjshme, si edhe heqjen e paligjshme të lirisë, një akuzë që lidhet me episodin e rrëmbimit të biznesmenit Gerond Meçe, të cilin SPAK e konsideron pjesë të aktivitetit të grupit kriminal.
Hetimet nuk u ndalën vetëm te tenderët. Prokuroria ka dokumentuar një sërë pasurish luksoze që dyshohet se janë krijuar me të ardhura të aktivitetit kriminal dhe janë fshehur përmes personave të tretë. Mes tyre spikat jahti luksoz “Skyfall”, me vlerë rreth 930 mijë euro, i regjistruar në emër të një shtetaseje rumune 24-vjeçare, por që sipas SPAK kontrollohej në mënyrë efektive nga Beqiri. Në kuadër të hetimit janë sekuestruar gjithashtu llogari bankare, automjete dhe pasuri të tjera që prokuroria dyshon se lidhen me të.
Nga jahti luksoz në Mesdhe te avioni i lehtë që u bë objekt hetimi në Francë, pasionet e shtrenjta të Ermal Beqirit kanë shoqëruar profilin e një biznesmeni që prej muajsh i shmanget drejtësisë shqiptare.
Nëse autoritetet franceze konfirmojnë se piloti i ndaluar është Ermal Beqiri dhe nisin procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, dosja e shumëpërfolur e AKSHI-t mund të marrë një kthesë të rëndësishme. Rikthimi përballë drejtësisë i një prej personave që SPAK e konsideron kyç në skemën e dyshuar të manipulimit të tenderëve do t’i jepte hetimit një dimension të ri, duke hapur rrugën për ballafaqime, marrje në pyetje dhe zbardhjen e rolit të secilit prej personave të përfshirë në një nga aferat më të mëdha të prokurimeve publike të viteve të fundit.






















