Sami Bashaliu u rrëfye në Gjykatën e Posaçme në procesin ndaj Laert Haxhiut, për vrasjen e Albi (Dijonis) Bashaliut në Gjoçaj të Peqinit në dhjetor të vitit 2021.
Dëshmia e plotë
“Para 3 apo 4 vitesh para lokalit tim ka ndodhur një vrasje. Ka qenë 2-3 ditë para Vitit të Ri. Lokalin e kam para shtëpisë. Mbaj mend që ishte mëngjes dhe binte shi. Kishte ardhur një makinë me xhama të errët e parkuar rrëzë avllisë. Mesa kujtoj, ishte një ‘Audi’ e bardhë me xhama të zinj. Gruaja më tha se ishte një makinë, por unë mendova se ishte e komshiut. E pashë dhe u futa brenda.
Erdhi Albi Bashaliu të pijë kafe. Në atë moment, një person doli nga makina. I foli Bashaliut. Ai ktheu kokën e pastaj u dëgjuan zhurma armësh. Ishte një djalë i hollë, i gjatë. Gjuajti një herë a dy. U tronditën edhe ata që ishin në lokal. Unë dola. Por personi me pistoletë në dorë më tha: ‘Futu brenda’. U futa.
Pastaj ai i mori Bashaliut çelësat nga xhepi. Ndërsa ai që po e priste në makinë, i hodhi benzinë makinës e i vunë flakën. Më herët atij i patën vrarë vëllanë. Leonard e quanin. Ka qëndruar në Itali më shumë. Atë e vranë në një fshat tjetër. Nuk ishte mbushur akoma viti.
Atë një fshatari ynë e vrau, një Albert Xhahysa, a nuk e di.”
SPAK thotë se vrasja e Albi Bashaliut u porosit nga Lorenc Lala për motive hakmarrjeje, ndërsa u organizua dhe u realizua nga Laert Haxhiu dhe anëtarët e grupit të tij.
Lorenc Lala, i njohur edhe si Kristian Lala apo Ilir Lamberti, u arrestua në Londër dhe u ekstradua më pas drejt Shqipërisë. Ai akuzohet se pagoi 50 mijë euro bandën e Haxhiut që të ekzekutonin Bashaliun.
I penduari i drejtësisë Artan Tafani tha se vrasjen e ka kryer bashkë me Lulzim Arapin, Bledar Berberin, Enriko Xhahysën dhe Laert Haxhiun.






















