Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se ka pezulluar përkohësisht sulmet ushtarake ndaj Iranit për t’i dhënë një mundësi negociatave, duke paralajmëruar se operacionet mund të rifillojnë nëse bisedimet dështojnë.
Në një intervistë për Axios, Trump tha se SHBA është e angazhuar në negociata intensive me Teheranin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rifillimin e dialogut mbi programin bërthamor iranian.
“Jemi në bisedime shumë të thella me Iranin. Nëse ato nuk funksionojnë, do t’i rikthehemi veprimeve shumë të forta ushtarake”, u shpreh presidenti amerikan, duke shtuar se nuk është i gatshëm t’i japë shumë kohë diplomacisë.
Trump zbuloi se vendimin për të ndalur sulmet e mori të premten, pas kërkesës së vendeve ndërmjetësuese që të shmangte përshkallëzimin dhe t’i jepte një mundësi të fundit dialogut.
Ai theksoi se pas pezullimit të operacioneve çmimet e naftës ranë dhe tregjet financiare reaguan pozitivisht.
Ndërkohë, Trump pritet të zhvillojë të martën një takim në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ku situata me Iranin do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit. Ai përsëriti gjithashtu se, sipas tij, pa ndërhyrjen e tij Irani do të kishte armë bërthamore dhe Izraeli do të përballej me një kërcënim ekzistencial.






















