
Tre persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë i vogël, pas një sulmi me armë zjarri gjatë një festivali ushqimor në qendër të qytetit të Seattle, në shtetin amerikan të Uashingtonit.
Sipas policisë, një person është arrestuar në lidhje me ngjarjen, ndërsa një i dyshuar i dytë, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në përplasjen me armë, vijon të jetë në kërkim.
Autoritetet bëjnë me dije se dy persona dyshohet se kanë qëlluar ndaj njëri-tjetrit në mes të turmës së pjesëmarrësve në festival. Deri më tani, motivi i ngjarjes nuk është bërë i ditur.
Kryebashkiakja e Seattle, Katie Wilson, e cilësoi ngjarjen si një “tragjedi të pabesueshme” dhe një akt të rëndë dhune, ndërsa ngriti shqetësimin për rritjen e rasteve të dhunës me armë në qytet.
Ajo deklaroi se vetëm gjatë ditëve të fundit Seattle është përballur me tre incidente të rënda me armë zjarri. Në vendngjarje, policia ka sekuestruar dy armë zjarri, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Autoritetet kanë theksuar se situata është nën kontroll dhe se aktualisht nuk ka më rrezik për komunitetin.






















