Policia e Berlinit ka bërë të ditur se 21-vjeçari Abdul Ballout, i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist të ndodhur një ditë më parë, është vrarë gjatë një operacioni për arrestimin e tij.
Sipas një deklarate zyrtare të autoriteteve, i dyshuari u lokalizua rreth orës 18:00 me orën lokale në një kompleks kopshtesh në pjesën perëndimore të Berlinit.
Gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë, 21-vjeçari dyshohet se iu afrua efektivëve i armatosur me një thikë. Në këto rrethana, policia përdori armën e zjarrit për ta neutralizuar.
“Besohet se ai u afrua drejt forcave tona të emergjencës me një thikë, dhe më pas policia përdori armë zjarri për ta neutralizuar. Pavarësisht masave të menjëhershme për t’i dhënë ndihmën e parë, ai vdiq në vendngjarje”, thuhet në deklaratën e policisë.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit terrorist dhe lidhjet e të dyshuarit me ngjarjen.






















