Policia e Berlinit ka publikuar fotografinë e personit të dyshuar për përplasjen me automjet ndaj turmës gjatë eventit të Krenarisë në kryeqytetin gjerman. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin Abdul B., i cili sipas autoriteteve njihet më herët nga policia dhe dyshohet se ka lidhje me qarqe islamiste.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos i afrohen të dyshuarit, pasi ai konsiderohet i rrezikshëm dhe mund të jetë i armatosur. Deri më tani nuk është raportuar për arrestimin e tij, ndërsa policia vijon kërkimet.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë festimeve të Christopher Street Day në Berlin, ku një automjet u përplas me turmën, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e 16 të tjerëve. Tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu raportimet se pas përplasjes së automjetit, disa persona mund të jenë sulmuar me armë të ftohta. Motivi i ngjarjes mbetet ende nën hetim.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e cilësoi ngjarjen si një “akt të tmerrshëm”, ndërsa deklaroi se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë. Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e përshkroi ngjarjen si “një sulm ndaj shoqërisë sonë të lirë dhe të hapur”.





















