Zjarrfikësit po vijojnë betejën me flakët në jugperëndim të Francës, ku zjarret e mëdha po përhapen me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta, duke iu afruar qytetit të Bordeaux. Autoritetet kanë paralajmëruar se situata mbetet kritike, ndërsa një zyrtar deklaroi se flakët janë tashmë "jashtë kontrollit".
Sipas autoriteteve, më shumë se 250 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Francë dhe Spanjë, ndërsa vetëm në rajonet franceze të Gironde dhe Landes janë evakuuar rreth 200 mijë banorë. Gjatë natës, shtatë qytete në perëndim të Bordeaux morën urdhër për evakuim të menjëhershëm.
Për të përballuar situatën, Franca ka angazhuar edhe ushtrinë, e cila po ndihmon zjarrfikësit në pastrimin e zonave me shkurre dhe krijimin e brezave mbrojtës për të ngadalësuar përhapjen e flakëve.
Në Spanjë, ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, një përmirësim i përkohshëm i kushteve atmosferike ka ndihmuar ekipet e emergjencës pranë Madridit. Megjithatë, autoritetet në Valencia konfirmuan viktimën e parë, një burrë rreth 70 vjeç, i cili u gjet i pajetë brenda automjetit të tij gjatë operacioneve për shuarjen e një zjarri në zonën e Manises.
Banorët dhe turistët në Bordeaux përshkruajnë një situatë dramatike. Një çift britanik tha se tymi dhe hiri kanë mbuluar zonën, ndërsa ajri është bërë i vështirë për t'u thithur. Edhe banorët e Saint-Aubin-de-Medoc e kanë cilësuar situatën si një "katastrofë", teksa vijojnë evakuimet dhe përpjekjet për të vënë flakët nën kontroll.





















