
Presidenti amerikan Donald Trump surprizoi të pranishmit në darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke u shfaqur me një kapelë të kuqe me mbishkrimin “Trump 2028”, një veprim që u interpretua si sinjal për synimin e tij për një mandat të tretë në krye të Shteteve të Bashkuara.
Në fund të fjalimit të tij, që zgjati pak më shumë se një orë, Trump deklaroi:
“Ky është qëllimi im. Ky është synimi im për një mandat të tretë si president i Shteteve të Bashkuara. Do ta bëjmë. Do të argëtohemi pak. Kam fituar. Kam fituar tri herë. Tani do ta bëj sërish.”
Duke folur për mundësinë e një kandidimi të ri, ai shtoi: “Do ta bëj. Duhet të jetë e lehtë.”
Sipas raportimeve, deklaratat e presidentit amerikan u pritën me heshtje për disa çaste nga të pranishmit në sallë.
“Po bëhem shumë i mirë në kandidimin për president. Do të keni kohë të flisni për këtë. Është interesante kur rikthehesh dhe bën një punë të mirë, siç kemi bërë ne. Sepse situata është vërtet shumë e keqe”, u shpreh Trump.
Në përfundim të fjalës së tij, ai ndryshoi tonin, duke falënderuar të pranishmit.
“Por, duke folur seriozisht, dua t’ju falënderoj edhe një herë të gjithëve. Ishte një mbrëmje interesante”, tha ai.
Pak më vonë, në sallë u dëgjua kënga “YMCA”, një nga këngët e preferuara të Trump, ndërsa presidenti amerikan e shoqëroi muzikën me kërcimin e tij karakteristik.






















