Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ashpërsuar tonet ndaj Bashkimit Evropian, duke kërcënuar me tarifa të reja doganore pasi Komisioni Evropian vendosi një gjobë prej 890 milionë eurosh ndaj Google, duke e akuzuar kompaninë për shkelje të rregullave të konkurrencës sipas Digital Markets Act (DMA).
“Bashkimi Evropian do të paguajë një çmim shumë të lartë për këtë sjellje të paligjshme dhe thellësisht të padrejtë. Është një grabitje, për të cilën i kisha paralajmëruar vazhdimisht”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan përsëriti se SHBA-ja nuk do të jetë më “arka e kursimeve e Evropës” dhe paralajmëroi se administrata e tij synon të reagojë me tarifa të reja ndaj mallrave evropiane.
“Këto sanksione duhet të hiqen plotësisht dhe ne planifikojmë të vendosim tarifa të rënda doganore sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur në Bruksel kishte një lehtësim të përkohshëm, pasi tarifat e reja amerikane të shpallura së fundmi mbetën në nivelin 10%, në përputhje me marrëveshjen e arritur vitin e kaluar në Skoci.
Megjithatë, Komisioni Evropian ka bërë të qartë se ligjet e konkurrencës nuk janë objekt negociatash tregtare. Sipas Brukselit, gjoba ndaj Google është vendosur në bazë të legjislacionit evropian dhe nuk lidhet me diskutimet për tarifat doganore.
Në një reagim zyrtar, BE-ja theksoi se ka respektuar detyrimet e marrëveshjes me SHBA-në dhe pret që edhe Uashingtoni të veprojë në të njëjtën mënyrë. Autoritetet evropiane shtuan se mbeten të hapura për dialog mbi përjashtime të tjera tarifore dhe bashkëpunim në fusha si inteligjenca artificiale, ekonomia digjitale, siguria ekonomike dhe burimet kritike natyrore.
Ndërkohë, kërcënimet e reja të Trump kanë shkaktuar reagime edhe jashtë Evropës. Kina, Brazili dhe Australia kritikuan ashpër politikën e tarifave amerikane, duke paralajmëruar se një luftë e re tregtare nuk i shërben interesave të askujt. Pekini deklaroi se kundërshton çdo masë tarifore të njëanshme, ndërsa Brazili i cilësoi vendimet e Uashingtonit si të pajustifikuara dhe të bazuara në pretendime të pavërteta. Australia, nga ana e saj, kërkoi heqjen e tarifave që, sipas Kanberrës, bien ndesh me marrëveshjen e tregtisë së lirë mes dy vendeve.






















