Presidenti amerikan Donald Trump bëri një deklaratë me nota humoristike gjatë Galasë së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se synon të kandidojë për një mandat të katërt në krye të SHBA-së.
Me një kapele të kuqe ku shkruhej “Trump 2028”, ai tha se do të bënte një njoftim zyrtar për kandidimin, përpara se të shtonte me ironi: “Në fakt, mendoj se sapo e bëra”, duke shkaktuar të qeshura dhe duartrokitje në sallë.
Gjatë fjalimit, Trump përsëriti pretendimin e tij se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin të manipuluara, megjithëse rezultati është certifikuar dhe nuk ka prova për manipulim në shkallë të gjerë. Ai u ndal edhe te atentati ndaj tij në muajin prill, duke theksuar se mosmarrëveshjet politike duhet të zgjidhen përmes debatit dhe jo dhunës.
Presidenti ironizoi gjithashtu kundërshtarët politikë, disa gazetarë dhe figura të njohura të medias amerikane, ndërsa foli edhe për negociatat me Iranin, duke përsëritur se SHBA nuk do të lejojë që Teherani të zotërojë armë bërthamore.
Në fund të fjalimit, Trump deklaroi se beson te liria e shtypit, pavarësisht kritikave të vazhdueshme ndaj mediave.
Sipas Amendamentit të 22-të të Kushtetutës së SHBA-së, një president nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë, ndaj deklarata e Trump u interpretua gjerësisht si një batutë politike dhe jo si një njoftim real për kandidim.






















