Dogana Shqiptare ka njoftuar se, për shkak të grevës së punonjësve të doganës greke, ditën e hënë, më 27 korrik 2026, do të ketë ndërprerje të përkohshme të lëvizjes në pikat e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Sipas njoftimit zyrtar, kufizimet do të zbatohen sipas këtij orari:
Kapshticë: nga ora 05:00 deri në 09:00 (ora shqiptare);
Qafë Botë: nga ora 05:00 deri në 09:00 (ora shqiptare);
Kakavijë: nga ora 07:00 deri në 11:00 (ora shqiptare);
Tre Urat: nga ora 07:00 deri në 11:00 (ora shqiptare).
Gjatë këtyre intervaleve kohore, për shkak të grevës në anën greke, lëvizja e automjeteve në pikat e kalimit kufitar do të jetë e kufizuar.
Dogana Shqiptare u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që planifikojnë të udhëtojnë drejt Greqisë të marrin në konsideratë këto kufizime dhe, nëse është e mundur, të planifikojnë udhëtimin jashtë orareve të sipërpërmendura, për të shmangur vonesat.






















