Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer pasditen e së dielës në Pyllin e Sodës në Vlorë, duke mbuluar një pjesë të qytetit me re të dendura tymi.
Vatra e zjarrit ndodhet brenda pyllit me pisha, pranë vijës hekurudhore në zonën e Zvërnecit. Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, duke rrezikuar një sipërfaqe të madhe me pyje e bimësi, si dhe bizneset dhe ambientet pranë zonës.
Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga strukturat e emergjencës, ndërsa në ndihmë të tyre janë bashkuar edhe banorë dhe pushues, të cilët po kontribuojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së prekur dhe të respektojnë udhëzimet e forcave në terren, ndërsa operacioni për vënien nën kontroll të zjarrit vijon.






















