
Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i drejtuar nga Jonaid Myzyri, vijon të shpërndajë fondet e shëndetësisë publike përmes procedurave tenderuese që spikasin për mungesën e konkurrencës. Në prokurimet e shpallura së fundmi, ky institucion i ka dhënë kompanisë “Evita”, në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu, 8 kontrata me një vlerë totale prej 267 milionë lekësh, apo rreth 2.8 milionë eurosh. Shqetësuese mbetet fakti se 7 prej këtyre tenderave janë fituar në mungesë të plotë të garës.
Procedurat në fjalë lidhen me dy marrëveshje kuadër 24-mujore për furnizimin e spitaleve me medikamente të ndryshme. Procedura e parë, e emërtuar B1, ka një fond limit prej 4.5 miliardë lekësh të ndara në 117 lote, ndërsa procedura B2 kap vlerën e 5.9 miliardë lekëve të ndara në 142 lote. Këto procedura mbulojnë barna për fusha kryesore mjekësore, nga terapia intensive dhe trajtimet tumorale, te sëmundjet kardiovaskulare, nervore dhe infektive.
Megjithatë, një pjesë e madhe e loteve duket se janë kthyer në një fushë përfitimi për kompanitë tradicionalisht favorite.
Një prej përfituesve kryesorë është kompania “Evita” e Klodian Allajbeut, e cila ka siguruar një lot nga procedura B1 dhe shtatë lote nga procedura B2. Në total, kompania ka përfituar rreth 2.8 milionë euro, ndërsa shtatë prej këtyre kontratave janë fituar pa konkurrencë.
Në procedurën B1, “Evita” është shpallur fituese në Lotin 5, i cili parashikon blerjen e “Sodium Chloride 0.9% (100 ml)”. Bëhet fjalë për solucion fiziologjik, një lëng që përdoret në spitale për trajtime të ndryshme mjekësore dhe për përgatitjen apo dhënien e barnave te pacientët. Fondi limit i këtij loti ishte rreth 11 milionë lekë të vjetra, ndërsa kompania e Allajbeut është shpallur fituese në mungesë të konkurrencës me një ofertë sa 99.6% e vlerës së tenderit.

Në procedurën B2, kompania ka përfituar Lotin 123, i cili parashikon blerjen e Tinzaparinës natrium. Ky është një medikament antikoagulant, i njohur ndryshe si hollues gjaku, i përdorur për parandalimin dhe trajtimin e mpiksjes së gjakut. Bari do të sigurohet në formën e shiringave të parapërgatitura. Fondi limit i këtij loti ishte rreth 1 miliard lekë të vjetra, ndërsa “Evita” është shpallur fituese pa konkurrencë me një ofertë sa 99.5% e vlerës së tenderit.
Loti 45 parashikon blerjen e Ibuprofenit 800 mg/8 ml (Flakon). Bëhet fjalë për një ilaç që përdoret për uljen e temperaturës dhe lehtësimin e dhimbjeve te pacientët. Fondi limit i këtij loti ishte rreth 59 milionë lekë të vjetra, ndërsa fituese është shpallur “Evita”, së bashku me operatorin tjetër “ILMA”, në mungesë të garës me ofertën sa 99.6% e vlerës së tenderit.
Loti 76 përfshin blerjen e Morphine 10 mg/1 ml (Ampulë). Bëhet fjalë për morfinën, një ilaç që përdoret në spitale për qetësimin e dhimbjeve të forta te pacientët. Fondi limit i këtij loti ishte rreth 188 milionë lekë të vjetra, ndërsa fituese është shpallur “Evita”, së bashku me operatorin “MEDICAMENTA”, në mungesë të garës me ofertën sa 98% e vlerës së tenderit.
Loti 60 parashikon blerjen e Ibuprofenit 400 mg/4 ml (Flakon). Ky medikament përdoret për uljen e temperaturës dhe lehtësimin e dhimbjeve te pacientët. Fondi limit i këtij loti ishte rreth 98 milionë lekë të vjetra dhe fituese është shpallur “Evita”, së bashku me operatorin “ILMA”, në mungesë të konkurrencës.
Loti 115 përfshin blerjen e Glucose 5% (500 ml Flakon). Bëhet fjalë për solucion me glukozë, një lëng që përdoret në spitale për furnizimin e trupit me energji dhe për trajtime të ndryshme mjekësore. Fondi limit i këtij loti ishte rreth 713 milionë lekë të vjetra, ndërsa “Evita” është shpallur fituese pa garë me ofertë sa 85% e vlerës së tenderit.
Loti 105 parashikon blerjen e Sodium Chloride 0.9% (100 ml Flakon). Ky është solucion fiziologjik që përdoret në spitale për trajtime të ndryshme dhe për përgatitjen apo administrimin e barnave te pacientët. Fondi limit ishte rreth 449 milionë lekë të vjetra, ndërsa “Evita” është shpallur fituese në mungesë të konkurrencës me ofertë sa 93% e vlerës së tenderit.
I vetmi lot ku ka pasur një proces gare është Loti 68, i cili parashikon blerjen e Teicoplanin 400 mg (Flakon + ampulë hollues). Ky është një antibiotik që përdoret në spitale për trajtimin e infeksioneve të rënda bakteriale. Fondi limit i këtij loti ishte rreth 130 milionë lekë të vjetra. Nga tre operatorë që morën pjesë në garë, fituese u shpall “Evita” me ofertën prej rreth 51 milionë lekësh të vjetra.
Edhe pse kuadri ligjor i lejon tenderat me vetëm një operator vetëm në raste përjashtimore apo emergjencash, përdorimi i tyre i shpeshtë nga institucionet publike shmang garën e ndershme dhe rrit koston për paratë e taksapaguesve.
Fakti që një kompani e vetme siguron shtatë nga tetë lote pa asnjë rivalitet në treg ngre dyshime të arsyetueshme për procedura të qepura "me porosi". Ky skenar jo vetëm që cenon garën e lirë, por forcon më tej monopolin e pronarit të Spitalit Amerikan mbi fondet që shteti akordon për shëndetësinë.
Sot, Klodian Allajbeu mbetet një nga aktorët më fuqishëm të këtij sektori, i cili përmes kompanive të lidhura kontrollon edhe dy nga koncesionet më të mëdha të Partneritetit Publik-Privat, atë të hemodializës me vlerë 84 milionë euro dhe të laboratorëve me 130 milionë euro. Të marra së bashku, këto kontrata me vlerë 214 milionë euro kanë qenë vazhdimisht në qendër të kritikave dhe ankesave nga pacientët.
Dyshimet për një monopol të strukturuar mbi fondet e shëndetësisë përforcohen edhe më tej nga lëvizjet në administratën publike. Faktet tregojnë se ish-punonjëse të spitalit të tij privat sot drejtojnë poste kyçe shtetërore, si ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, apo administratorja e Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit, Arisa Cane.






























