Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë kanë shënuar momentet më të tensionuara të protestës së zhvilluar pranë Kuvendit.
Protestuesit tentuan të bllokonin kryqëzimin e Unazës, në afërsi të Rrugës së Elbasanit, pasi nuk u lejuan nga efektivët të afroheshin drejt godinës së Parlamentit.
Më herët, ata hoqën dy gardhe metalike të vendosura në anën e qendrës, ndërsa një tjetër barrierë ishte ngritur nga policia në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit, për të penguar marshimin drejt Kuvendit.
Gjatë përplasjeve, protestuesit qëlluan në drejtim të uniformave blu me vezë, domate dhe shishe uji, duke çarë edhe gardhin metalik të vendosur për garantimin e perimetrit të sigurisë.
Si pasojë e incidenteve, dy punonjës policie mbetën të lënduar. Njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të lehta, ndërsa efektivi tjetër ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje mbërriti një ambulancë, e cila transportoi dy policët drejt spitalit për trajtim mjekësor.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa forca të shumta policie vijojnë të jenë të vendosura në perimetrin e Kuvendit për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të protestës.






















