Pasagjeri serb Ljubisa Karovic, i cili u thith pjesërisht nga dritarja e një avioni gjatë një fluturimi të Ryanair nga Greqia drejt Gjermanisë, ka rrëfyer për The Guardian momentet dramatike që përjetoi gjatë incidentit.
61-vjeçari tregoi se gjithçka nisi me një shpërthim të fortë që e zgjoi nga gjumi, përpara se të thithej pjesërisht nga dritarja e avionit, ndërsa mbeti i lidhur vetëm falë rripit të sigurimit.
“Jam me fat. Nuk mbaj mend shumë dhe koka e qafa më dhembin ende, por jam ende gjallë. Mund të ketë qenë rripi i sigurimit që më shpëtoi. Por ndoshta është fati. Unë besoj në Zot dhe e falënderoj atë çdo ditë”, tha ai.
Sipas bashkëshortes së tij, Svetlana, ishin pasagjerët ata që ndërhynë menjëherë për ta tërhequr brenda dhe për të bllokuar hapjen e dritares. Ajo veçoi ndihmën e një pasagjeri, për të cilin tha se ishte shqiptar.
“Ishin pasagjerët që ndihmuan. Një burrë, mendoj se ishte shqiptar, ishte i jashtëzakonshëm. Bëri gjithçka që mundi për ta futur brenda dhe më pas u përpoq ta bllokonte dritaren. I jemi përjetësisht mirënjohës”, u shpreh ajo.
Ryanair i ka mohuar pretendimet se ekuipazhi nuk reagoi, duke theksuar se stafi zbatoi protokollet e sigurisë dhe ndërhyri sapo avioni arriti një lartësi të sigurt, ndërsa pasagjeri mori asistencë mjekësore deri në uljen emergjente në Selanik.






















