Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” parashikon që pagat bazë të personelit të institucionit do të indeksohen çdo vit me normën e inflacionit.
Sipas propozimeve të projektligjit, gjithashtu Këshilli Mbikëqyrës do të rishikojë periodikisht nivelet e pagave, shtesave dhe përfitimeve të tjera financiare të personelit.
Rishikimi do të marrë në konsideratë, por pa u kufizuar, zhvillimet e indeksit të çmimeve të konsumit, tregut të banesave dhe zhvillimet e pagave në sektorin financiar.
Gjithashtu, projektligji përcakton se pagat, shtesat dhe përfitimet e tjera financiare të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe personelit nuk mund të ulen.
Projektligji parashikon se politika për pagat dhe shpërblimin e personelit përcaktohet me propozimin e Guvernatorit dhe në mënyrë të pavarur nga legjislacioni që rregullon skemat e pagave në administratën publike, në përputhje me parimin e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë.
Politikat e shpërblimit për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe personelin e Bankës së Shqipërisë duhet të garantojnë pavarësinë në ushtrimin e detyrave dhe funksioneve të tyre, duke marrë në konsideratë natyrën dhe kompleksitetin e këtyre funksioneve, nivelin e përgjegjësisë, nevojën për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregun e punës, bazuar në analiza të tregut të kryera nga këshilltarë të pavarur me reputacion të lartë, si dhe objektivin për të punësuar profesionistë me kualifikim të lartë.
Politikat e mësipërme do të përfshijnë përcaktimin e strukturës së pagave, shtesave dhe përfitimeve financiare që lidhen me shëndetin, ngritjen e kompetencës profesionale, mbështetjen me kredi për strehim, si dhe krijimin dhe administrimin e fondit të pensionit.
Ligji përcakton se politikat e pagave nuk do të jenë të lidhura me fitimin e Bankës së Shqipërisë.
Edhe me legjislacionin aktual, niveli i pagave në Bankën e Shqipërisë përcaktohet në mënyrë të pavarur.
Megjithëse është institucion publik, Banka Qendrore nuk e publikon nivelin e pagave të personelit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, sipas pozicioneve dhe kritereve të tjera.
Por, sipas punonjësve të institucionit, pagat në Bankën e Shqipërisë janë të pandryshuara prej shumë vitesh, qysh në kohën kur ai drejtohej nga ish-Guvernatori Ardian Fullani.
Në atë periudhë, Banka e Shqipërisë kishte paga ndjeshëm më të larta krahasuar me administratën publike dhe shumicën e institucioneve të tjera shtetërore.
Ndërkohë që pagat në administratën publike dhe në sektorin privat janë rritur me ritme të shpejta, sidomos pas vitit 2022, mosrritja e pagave në Bankën Qendrore ka shkaktuar një hendek me tregun, pakënaqësi mes stafit dhe vështirësi në ruajtjen dhe rekrutimin e burimeve njerëzore cilësore.
Miratimi i ligjit të ri pritet t’i japë zgjidhje kësaj situate, pavarësisht se as ligji aktual nuk e pengon Guvernatorin dhe Këshillin Mbikëqyrës të rishikojnë nivelin e pagave të institucionit./ Monitor.al






















