Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, ka lëshuar akuza të forta ndaj FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino, duke e akuzuar se po qeveris futbollin sipas interesave të veta dhe po dëmton industrinë e sportit.
Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, pas kthimit nga Botërori në SHBA, Tebas kritikoi organizimin e turneut, duke u ndalur te pushimi prej mbi 27 minutash në finalen e Kupës së Botës dhe pauzat e hidratimit, të cilat i cilësoi si një justifikim për reklama.
“FIFA i rregullon gjërat sipas interesave të saj, jo sipas interesave të futbollit. Pushimi 27-minutësh dhe pauzat e hidratimit ishin vetëm për reklama. Në stadiume kishte ajër të kondicionuar, nuk kishte asnjë arsye sportive për këtë,” u shpreh ai.
Tebas kritikoi gjithashtu mënyrën se si FIFA, sipas tij, merr vendime pa konsultuar pjesën tjetër të botës së futbollit, duke përmendur edhe pezullimin e skualifikimit të lojtarit amerikan Balogun si një rast që mund t’i kishte kushtuar postin Infantinos, nëse SHBA nuk do të ishte eliminuar.
Presidenti i La Liga-s kundërshtoi edhe planin për zgjerimin e Kupës së Botës në 64 kombëtare, duke paralajmëruar se kjo do të dëmtojë kampionatet kombëtare dhe mijëra vende pune që varen prej tyre.
“Po shkatërrojnë industrinë e futbollit për një turne 40-ditor. Futbolli nuk është vetëm Botërori. Kampionatet kombëtare janë baza e këtij sporti dhe duhen mbrojtur,” tha ai.
Në fund, Tebas deklaroi se Gianni Infantino duhet të largohet nga drejtimi i FIFA-s.
“Për mendimin tim, koha e tij ka mbaruar. Por sistemi e mban në pushtet. Shumë njerëz janë kundër tij, por zgjedhin të heshtin. Nuk e di çfarë është më e keqe, heshtja apo bashkëpunimi, sepse të dyja po i bëjnë dëm futbollit,” përfundoi presidenti i La Liga-s.






















