Lionel Messi ka reaguar për herë të parë pas humbjes së Argjentinës ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026, duke ndarë një mesazh emocionues me tifozët përmes rrjeteve sociale.
Kapiteni i Argjentinës falënderoi mbështetësit për përkrahjen e vazhdueshme dhe u shpreh krenar për rrugëtimin e skuadrës, pavarësisht se trofeu i shpëtoi në ndeshjen vendimtare.
“Dhimbja është e madhe dhe do të duhet kohë që kjo plagë të shërohet. Dua të mbaj mend gjithçka të bukur që përjetuam, ndeshjet që përmbysëm, përkushtimin e secilit dhe mbështetjen e një vendi të tërë. Kjo na bëri edhe një herë ndër ekipet më të mira në botë”, shkroi Messi.
39-vjeçari theksoi se, edhe pse zhgënjimi është i madh, fakti që Argjentina arriti të luajë në dy finale radhazi të Kupës së Botës mbetet një sukses i jashtëzakonshëm.
“Sot është e vështirë ta vlerësojmë plotësisht atë që kemi arritur, por ky grup luajti në dy finale radhazi të Kupës së Botës. Faleminderit nga zemra për çdo urim dhe çdo mesazh. Edhe një herë arritëm ta bashkojmë vendin tonë dhe të ndajmë krenarinë për të qenë argjentinas”, vijoi ai.
Në fund të mesazhit, Messi përgëzoi edhe Spanjën për triumfin në Botëror.
“Dua gjithashtu ta përgëzoj Spanjën për fitimin e kampionatit”, përfundoi legjenda argjentinase.
Argjentina u mposht 1-0 nga Spanja në finalen e zhvilluar në stadiumin MetLife, me golin vendimtar të Ferran Torres në kohën shtesë. Messi e mbylli turneun me tetë gola dhe katër asistime, ndërsa kjo ishte ndeshja e vetme e Botërorit ku ai nuk arriti të shënonte apo të asistonte.






















