
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni do të ndërhyjë nëse rebelët Huthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, tentojnë të pengojnë lëvizjen e lirë të anijeve tregtare në Detin e Kuq.
“Deri tani kjo nuk ka ndodhur. Mund të ketë ndodhur, por ne do të kujdesemi për këtë. E kemi bërë më parë me Huthitë dhe për një kohë të gjatë nuk kemi dëgjuar më prej tyre”, u shpreh Trump gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin libanez Joseph Aoun.
Duke folur për Iranin, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se udhëheqja iraniane po kërkon me ngulm zhvillimin e negociatave, pasi sipas tij është dobësuar në aspektin ushtarak.
“Ata duan dëshpërimisht të takohen, sepse janë dobësuar ushtarakisht. Por nëse nuk kanë diçka konkrete për të ofruar, ne nuk jemi të interesuar për një takim të tillë”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan komentoi gjithashtu sulmin e fundit me raketa dhe dronë ndaj forcave amerikane në Jordani, ku humbën jetën dy persona dhe disa të tjerë u plagosën.
“Ata arritën të fusin diçka në Jordani. Nëse do të kishim operatorë të tjerë, kjo nuk do të kishte ndodhur”, tha Trump, pa dhënë detaje se kujt iu referua me këtë deklaratë.
Ushtria amerikane njoftoi javën e kaluar se dy pjesëtarë të forcave të armatosura u vranë dhe katër të tjerë u transportuan për trajtim pas një sulmi me raketa dhe dronë në Jordani, i cili iu atribua Iranit.






















