Bota 21 July 2026, 15:56 Nga VNA

Pas sulmeve amerikane, jugun e Iranit në errësirë, mungesë karburantesh dhe varka të shkatërruara

Ndaje në Whatsapp

fdvfvdvfd.jpg

Disa fajësojnë Teheranin. Të tjerë Uashingtonin. Por, gati të gjithë banorët e bregdetit jugor të Iranit bien dakord për një gjë: rikthimi i sulmeve ajrore mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit i ka goditur rëndë, duke i lënë pa energji elektrike, pa karburante dhe pa mundësi për të siguruar jetesën.

Në brigjet e provincave Khuzestan dhe Bushehr përgjatë Gjirit Persik, si dhe në bregdetin Makran në provincën Hormozgan, buzë Detit të Omanit, jeta ka qenë gjithmonë e lidhur me detin.

“Shumë varka janë fundosur, janë goditur nga raketat”, thotë një banor i jugut të Iranit në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.

“Shumë varka u dogjën… Harrojini paratë, mendoni sa jetë njerëzish janë humbur”.

Autoritetet iraniane thonë se bombardimet kanë vrarë rreth 50 persona, përfshirë civilë, që kur SHBA-të kanë nisur sulmet në jug të Iranit në fund të qershorit.

Gjatë nëntë ditëve të fundit, sulmet janë bërë të përditshme.

Shtetet e Bashkuara thonë se qëllimi kryesor është dobësimi sistematik i kapaciteteve detare dhe ushtarake të Iranit në zonën e Ngushticës së Hormuzit – një korridor jetik për transportin global të energjisë, të cilin Irani e ka bllokuar si përgjigje ndaj luftës.

Uashingtoni këmbëngul se sulmet kanë në shënjestër objektivat ushtarake që, sipas tij, përdoren për të kërcënuar lundrimin në Ngushticë.

Por, banorët thonë se pasojat ndihen shumë më thellë në jetën e përditshme.

Sulmet ndaj termocentraleve dhe nënstacioneve të transmetimit përgjatë bregdetit kanë lënë pa energji sistemet e ftohjes në një rajon ku temperaturat në korrik shpesh i kalojnë 40 gradë Celsius.

Në qytetin port Bandar Abas, një banor tregoi se është detyruar të rrinte me familjen në makinë, pasi shtëpia e tyre kishte mbetur pa energji elektrike.

“Nuk kemi rrymë. Natën, kur duam të flemë, dëgjojmë vetëm luftën dhe shpërthimet… Çfarë kemi bërë që ta meritojmë këtë? Të rrimë në mesditë në makinë me gjithë familjen, në vend që të pushojmë në shtëpi? Në 41 gradë, pa rrymë, thjesht zien nga vapa”, tha ai.

Në provincën e pasur me naftë të Khuzestanit, banorët thonë se ka ndërprerje të vazhdueshme të energjisë, që e bëjnë edhe më të vështirë valën ekstreme të të nxehtit.

“Po e ndërpresin rrymën në këtë vapë”, tha një banor, duke iu referuar qyteteve Abadan, Khorramshahr dhe pjesës tjetër të provincës. “Është e padurueshme”.

Rrugët dhe urat e dëmtuara e kanë përkeqësuar edhe më krizën, duke bllokuar hyrje-daljet nga qytetet bregdetare.

Në rrjetet sociale, shoferët u bëjnë thirrje njerëzve të shmangin udhëtimet me makinë.

Radhët e gjata për karburante janë bërë pjesë e përditshmërisë, ndërsa ndërprerjet e energjisë kanë prekur edhe rrjetet e komunikimit, duke lënë shumë familje, për orë të tëra, pa mundur të marrin vesh nëse të afërmit e tyre në zonat e goditura janë të sigurt.

Megjithëse sulmet amerikane janë kryer në pjesë të ndryshme të Iranit, fokusi kryesor ka qenë bregdeti jugor, ku mijëra mjete lundruese kanë mbetur të bllokuara në Gjirin Persik, për shkak të luftës.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin e memorandumit të mirëkuptimit, të nënshkruar muajin e kaluar, i cili ka ndalur luftimet, për të hapur një periudhë 60-ditore bisedimesh për zgjidhjen e konfliktit që shpërtheu më 28 shkurt.

Situata është bërë aq e rëndë, sa javën e kaluar dhjetëra mijëra iranianë nënshkruan një peticion online, për t’u kërkuar udhëheqësve të linjës së ashpër që të vizitojnë jugun e vendit dhe t’i shohin vetë kushtet, në vend që të marrin vendime nga larg që, sipas tyre, rrezikojnë jetën e qytetarëve të zakonshëm.

“Një veprim i tillë mund të sjellë më shumë ndjeshmëri, mbështetje më efektive dhe vendimmarrje më reale në nivel kombëtar”, thuhet në peticion.

Të tjerë, të zhgënjyer nga rikthimi i luftës, thonë se edhe Uashingtoni mban përgjegjësi për rifillimin e luftimeve.

Një banor e përshkroi situatën si një fushatë bombardimesh “që nuk na lë të flemë”.

Konflikti ka goditur rëndë edhe turizmin.

Megjithëse monumentet historike në Khuzestan dhe në ishullin Keshm nuk janë dëmtuar drejtpërdrejt, zonat bregdetare janë kthyer në zona sigurie, duke zbrazur bujtinat dhe duke lënë pa punë guidat turistike, pikërisht para sezonit kur zakonisht rajoni pret më shumë vizitorë.

Në Keshm dhe Sirik, varkat e djegura kanë marrë me vete jo vetëm burimin e jetesës së peshkatarëve, por edhe një pjesë të trashëgimisë detare të jugut të Iranit.

Por, mes shkatërrimit, banorët flasin edhe për solidaritetin e njerëzve në pjesë të tjera të Iranit, të cilët kanë hapur dyert e shtëpive për familjet e zhvendosura nga zonat më të goditura.

Për shumë banorë të Gjirit Persik, pikërisht kjo ndjenjë solidariteti – po aq sa shpresa për fundin e luftës – është ajo që i ndihmon të vazhdojnë.

“Gjëja e parë që kontrollojmë është nëse jemi ende gjallë, nëse fqinji ynë është gjallë dhe nëse kemi ende pranë miq e familjarë”, tha një banore e jugut të Iranit./REL

Video

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur arkëtarja e Postës Shqiptare në Durrës, Paola Dana, e dyshuar në dosjen hetimore, merr para nga arka. Sipas Prokurorisë, ajo dhe dy zyrtare të tjera dyshohen se gjatë muajve prill-maj 2026 kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj (rreth 700 mijë euro), fonde të destinuara për pensionet dhe ndihmën ekonomike në degët e Shijakut dhe Krujës.

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale tregon momentin kur një pilot spanjoll bën shaka me tifozët argjentinas gjatë një fluturimi, duke u thënë fillimisht se Argjentina kishte fituar Kupën e Botës. Pasi njoftoi në altoparlant se donte të uronte “miqtë argjentinas” për triumfin, pasagjerët e veshur me fanellat e Argjentinës shpërthyen në festë, duke u përqafuar dhe brohoritur në korridorët e avionit. Ata nuk kishin akses në internet dhe nuk e dinin ende rezultatin e finales. Pak çaste më vonë, piloti zbuloi të vërtetën me një njoftim të dytë: “Spanja ka fituar.” Atmosfera në avion ndryshoi menjëherë, ndërsa tifozët argjentinas mbetën të shtangur dhe ra heshtja. Videoja është bërë virale në rrjetet sociale, ndërsa disa media në Argjentinë e kanë cilësuar këtë veprim si një “shaka të sëmurë”.

Ne mund të sjellim dhe Madonën po kemi hallin e protestës…

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale tregon momentin kur një pilot spanjoll bën shaka me tifozët argjentinas gjatë një fluturimi, duke u thënë fillimisht se Argjentina kishte fituar Kupën e Botës. Pasi njoftoi në altoparlant se donte të uronte “miqtë argjentinas” për triumfin, pasagjerët e veshur me fanellat e Argjentinës shpërthyen në festë, duke u përqafuar dhe brohoritur në korridorët e avionit. Ata nuk kishin akses në internet dhe nuk e dinin ende rezultatin e finales. Pak çaste më vonë, piloti zbuloi të vërtetën me një njoftim të dytë: “Spanja ka fituar.” Atmosfera në avion ndryshoi menjëherë, ndërsa tifozët argjentinas mbetën të shtangur dhe ra heshtja. Videoja është bërë virale në rrjetet sociale, ndërsa disa media në Argjentinë e kanë cilësuar këtë veprim si një “shaka të sëmurë”.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme