Që nga vitet e studimeve në Universitetin e Kembrixhit e deri te hyrja në Downing Street, Marie-France van Hill ka qenë në krah të kryeministrit të ri britanik, Andy Burnham.
E lindur në Holandë, ajo ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në fushën e marketingut dhe strategjisë së biznesit.
Marie-France van Hill, e njohur nga miqtë si Frankie, u njoh me Andy Burnham në vitin 1989 në Universitetin e Kembrixhit, ku ajo nisi studimet në Fitzwilliam College. Në atë kohë, Burnham ishte në vitin e dytë të studimeve për letërsi angleze.
Sipas ish-studentëve, marrëdhënia e tyre tërhoqi vëmendje, pasi van Hill konsiderohej një nga studentet më të spikatura të universitetit.
Marie-France van Hill lindi në janar të vitit 1970 dhe u rrit mes Holandës dhe Belgjikës, përpara se të zhvendosej në Mbretërinë e Bashkuar për studime.
Në fillimet e lidhjes së tyre, çifti përjetoi edhe një episod të pazakontë. Me nxitjen e miqve, van Hill mori pjesë në emisionin e njohur televiziv “Blind Date” të ITV-së, të drejtuar nga Cilla Black, ku zgjodhi një kandidat për një udhëtim në Gjibraltar. Megjithatë, njohja nuk u shndërrua në një lidhje.
Vite më vonë, Burnham dhe bashkëshortja e tij u takuan rastësisht me të njëjtin person në një bar në Parlament, ku ai punonte si drejtor komunikimi për Partinë Konservatore.
Çifti u bë prindër për herë të parë në vitin 2000, me lindjen e djalit të tyre, Jimmy. Sipas vetë Burnham, ardhja në jetë e djalit ishte arsyeja që ata vendosën të martoheshin pas shumë vitesh bashkëjetese.
“Unë besoj se martesa është më e mirë për fëmijët”, deklaronte ai në një intervistë të vitit 2007, duke e cilësuar veten “tradicional” në këtë aspekt.
Më pas, familjes iu shtuan edhe dy vajzat, Rosie dhe Annie. Jimmy punon në Royal College of Nursing, Rosie në industrinë e pijeve për markën Jägermeister, ndërsa Annie ka përfunduar studimet në Universitetin e Cardiffit.
Marie-France van Hill ka ndërtuar një karrierë të gjatë në sektorin e marketingut dhe strategjisë. Ajo ka punuar për kompani të njohura, përfshirë Sky, dhe ka kontribuar në projekte të identitetit korporativ, si zhvillimi i logove për BBC dhe Rugby Football Union.
Sipas analistëve, përvoja e saj në komunikim ka ndikuar edhe në mënyrën se si janë ndërtuar fushatat politike të Andy Burnham.
Aktualisht, van Hill mban një pozicion drejtues në departamentin e marketingut të kompanisë Iduna, e cila operon rrjetin e karikimit të automjeteve elektrike në zonën e Mançesterit.
Pozicioni i saj ka nxitur debate politike, pasi Burnham, gjatë kohës që shërbente si kryetar i Bashkisë së Mançesterit të Madh, ishte i përfshirë në vendimmarrje që lidhej me infrastrukturën e transportit dhe energjisë.
Për të shmangur çdo dyshim për konflikt interesi, Burnham deklaroi publikisht marrëdhënien profesionale të bashkëshortes së tij dhe u tërhoq nga çdo vendimmarrje që kishte lidhje me Iduna ose projekte të lidhura me kompaninë.
Partia Konservatore e kritikoi atë për mosdeklarimin e një pakete prej 0.2% të aksioneve që van Hill zotëronte në kompani. Megjithatë, Autoriteti i Mançesterit të Madh sqaroi se Burnham kishte përmbushur detyrimet ligjore për deklarimin e interesave, pasi kishte bërë publik pozicionin profesional të bashkëshortes së tij.






















