Të shtëna me armë zjarri kanë alarmuar mbrëmjen e kësaj të hëne qytetin e Elbasanit, ku tre persona mbetën të plagosur pas një sulmi në verandën e një lokali në lagjen “Vullnetari”.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 20:30, një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Armand Tomorricës, 32 vjeç, Renaldo Mançes, 31 vjeç, dhe Bjorgi Hoxhës, 19 vjeç. Të tre janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Një detaj që i jep një kthesë të veçantë ngjarjes është fakti se në momentin e sulmit, brenda lokalit ndodhej një oficer Policie jashtë shërbimit. Sapo dëgjoi të shtënat, ai doli menjëherë dhe u vu në ndjekje të autorit.
Gjatë arratisjes, autori hodhi armën e zjarrit, por arriti të largohej në thellësi të lagjes. Policia ka rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe vijon kontrollet intensive për kapjen e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për të zbardhur motivin e sulmit, ndërsa arma e braktisur dhe provat e tjera të gjetura në vendngjarje pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorit.
Njoftimi i plotë:
Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 20:30, në lagjen "Vullnetari", Elbasan, në verandën e një lokali, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri, pistoletë, në drejtim të tre shtetasve: A. T., 32 vjeç, R. M., 31 vjeç, dhe B. H., 19 vjeç, të cilët janë plagosur, jashtë rrezikut për jetën.
Në momentin e ngjarjes, në brendësi të lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit, i cili, sapo ka dëgjuar të shtënat, ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit.
Gjatë ndjekjes, autori ka hedhur armën e zjarrit dhe ka mundur të largohet në thellësi të lagjes. Forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendin e ngjarjes për sqarimin e plotë të rrethanave, si dhe për sekuestrimin e çdo prove që do t'i shërbejë hetimit për identifikimin dhe kapjen e autorit.






















