
Një 58-vjeçar është gjetur i pajetë ditën e sotme brenda një guve në fshatin Drizë të Kuçovës. Viktima, Gramoz Grymshi, ishte shpallur i humbur nga familjarët, të cilët kishin njoftuar policinë pasi ai ishte larguar nga banesa dy ditë më parë dhe nuk ishte kthyer më.
Sipas familjarëve, 58-vjeçari kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor gjatë muajve të fundit, çka kishte shtuar shqetësimin për zhdukjen e tij. Pas denoncimit, forcat e policisë nisën kërkimet në zonën përreth fshatit, ndërsa disa banorë kishin deklaruar se e kishin parë të hynte në drejtim të guvës.
Pas disa orësh kërkime, shërbimet e policisë arritën të gjenin trupin e tij pa shenja jete në brendësi të guvës. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e viktimës, ndërsa dyshimet e para janë se 58-vjeçari mund të ketë humbur jetën për shkak të mungesës së ajrit në ambientin e mbyllur.
Trupi i Gramoz Grymshit, banues në fshatin Drizë të Kuçovës, është transportuar në morgun e Spitalit Rajonal Berat, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për përcaktimin e saktë të shkaqeve të vdekjes.






















