Bolonja u përfshi nga përleshje të ashpra mes protestuesve dhe policisë pas tubimit të organizuar në kujtim të 42-vjeçarit Abderrahim Fakir, i cili humbi jetën gjatë një ndërhyrjeje policore. Protesta, e cila nisi në mënyrë paqësore, degjeneroi në trazira që zgjatën për orë të tëra në qendër të qytetit.
Protestuesit sulmuan forcat e rendit me gurë, shishe, bomba artizanale dhe objekte të ndryshme, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës, autobote me ujë dhe ndërhyrje fizike. Gjatë trazirave u dogjën dy automjete të Bashkisë së Bolonjës, u ngritën barrikada me biçikleta dhe kontejnerë mbeturinash, ndërsa disa rrugë të qytetit u shndërruan në skenë përplasjesh.
Bilanci paraprak flet për 64 efektivë të forcave të rendit të plagosur, me dëmtime nga 3 deri në 35 ditë pushim mjekësor. Ndihmë mjekësore morën edhe disa protestues, ndërsa janë kryer edhe ndalime.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta politike. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se është e domosdoshme të hetohen me rigorozitet rrethanat e vdekjes së Fakir, por theksoi se “asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj forcave të rendit”.
“Ata që përdorën këtë ngjarje si pretekst për të vënë flakën qytetit, për të sulmuar policinë dhe për të rrezikuar qytetarët nuk kërkonin të vërtetën, por përplasjen”, shkroi Meloni.
Edhe familja e Abderrahim Fakir u distancua nga aktet e dhunës. Avokati i familjes, Fabio Anselmo, deklaroi se personat që kryen vandalizmin nuk përfaqësojnë kërkesën për drejtësi dhe po dëmtojnë përpjekjet për zbardhjen e së vërtetës.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe presidenti i rajonit Emilia-Romagna, Michele de Pascale, i cili dënoi sulmet ndaj policisë dhe personelit shëndetësor, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe garantimin e ligjshmërisë.
Kryebashkiaku i Bolonjës, Matteo Lepore, deklaroi se qyteti pa “dy sheshe”: një protestë paqësore në solidaritet me familjen Fakir dhe një tjetër që u shndërrua në dhunë. Sipas tij, autorët e trazirave nuk përfaqësojnë Bolonjën dhe kanë dalë jashtë shtetit të së drejtës.
Ndërkohë, opozita e djathtë ka kërkuar dorëheqjen e Lepores, ndërsa Lega ka depozituar një kallëzim në Prokurori për të verifikuar përgjegjësitë e tij në organizimin e manifestimit ku morën pjesë rreth 5 mijë persona.
Përplasjet nisën pasi përfundoi tubimi në Piazza Nettuno. Një pjesë e protestuesve marshuan drejt prefekturës duke thirrur “vrasës” dhe slogane kundër policisë. Situata më pas doli jashtë kontrollit, me sulme të vazhdueshme ndaj forcave të rendit, barrikada në rrugë dhe dëme të shumta materiale në qendër të Bolonjës.






















