
Hetimi për përvetësimin e rreth 700 mijë eurove, të destinuara për pensionet dhe ndihmën ekonomike të qytetarëve në Durrës dhe Shijak, ka zbardhur detaje të reja pas publikimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë në ambientet e Postës së Durrësit.
Në videot e administruara nga grupi hetimor shfaqet ish-shefja e financës në Postën e Durrësit, Valbona Duni, e cila aktualisht ndodhet nën masë sigurie si një nga personat e dyshuar për përvetësimin e fondeve.
Sipas pamjeve, Duni shfaqet duke lëvizur një thes të zi brenda ambienteve të punës, ku dyshohet se ndodheshin paratë. Në një moment ajo shihet në zyrë me dokumente në duar, ndërsa komunikon me ish-arkëtaren Paola Danaj. Thesi me para lihet mbi dy karrige dhe më pas përfundon në dysheme, ndërsa ish-shefja e financës largohet për pak çaste dhe rikthehet për ta marrë sërish.
Përballë hetuesve dhe gjykatës, tre punonjëset e përfshira kanë dhënë versione të ndryshme për përgjegjësinë mbi mungesën e fondeve. Ish-arkëtarja Paola Danaj ka deklaruar se paratë janë marrë nga Valbona Duni, ndërsa kjo e fundit ka pretenduar se përvetësimi është kryer nga ish-drejtoresha e Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj.
Nga ana tjetër, Mataj ka mohuar përgjegjësinë dhe ka drejtuar akuzat ndaj dy vartëseve të saj, duke pretenduar se mungesa e fondeve lidhet me veprimtarinë e tyre.
Gjykata ka vendosur masat e sigurisë për tre të dyshuarat, duke lënë në burg ish-drejtoreshën Elisabeta Mataj, ndërsa për dy punonjëset e tjera ka caktuar masa më të buta sigurie. Hetimet për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar të përvetësimit vijojnë.






















