Humbja e Argjentinës ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 duket se ka lënë pasoja edhe brenda kampit të “Albiceleste”. Mediat argjentinase raportojnë për tensione në dhomën e zhveshjes, ku në qendër të vëmendjes është sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez.
Sipas raportimeve, Lautaro është zemëruar me trajnerin Lionel Scaloni pasi nuk u aktivizua për asnjë minutë në finalen e humbur 1-0 ndaj Spanjës. Sulmuesi e ndoqi të gjithë ndeshjen nga stoli, ndërsa vendimet e trajnerit gjatë kohës shtesë kanë ngjallur debat.
Në minutën e 102-të, Scaloni vendosi të aktivizonte mbrojtësin Marcos Senesi në vend të Julian Alvarez, duke forcuar repartin defensiv. Vetëm katër minuta më vonë, Ferran Torres realizoi golin që i dha Spanjës titullin e kampiones së botës.
Pas ndeshjes, disa media argjentinase raportuan se Lautaro reagoi me zemërim në dhomën e zhveshjes, duke iu drejtuar trajnerit me tone të ashpra dhe duke hedhur sende nga zemwrimi.
Megjithatë, këto raportime nuk janë konfirmuar nga Federata Argjentinase, stafi teknik apo pamje filmike, ndaj për momentin mbeten vetëm pretendime.
Vetë Lautaro nuk e fshehu zhgënjimin për mënyrën si u menaxhua finalja.
"Ne luftuam. Luajtëm në finalen e Kupës së Botës për herë të dytë radhazi, por këtë herë nuk ia dolëm. Do të doja ta kisha ndihmuar ekipin në fushë, por..."
Deklarata e tij u interpretua nga shumë media si një mesazh indirekt ndaj trajnerit Lionel Scaloni.
Pakënaqësia e sulmuesit bëhet edhe më e kuptueshme duke pasur parasysh se ishte pikërisht Lautaro Martinez ai që shënoi golin vendimtar në gjysmëfinalen ndaj Anglisë, duke siguruar kualifikimin e Argjentinës në finale.






















