Një eksperte e leximit të buzëve ka zbuluar se presidenti amerikan, Donald Trump, përdori të njëjtin mesazh për secilin futbollist gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve pas finales së Kupës së Botës 2026.
Trump ishte i pranishëm në stadiumin “MetLife”, ku mori pjesë në ceremoninë zyrtare së bashku me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum, dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Pas triumfit 1-0 të Spanjës ndaj Argjentinës, presidenti amerikan përshëndeti një nga një futbollistët që ngjiteshin në podium, duke u shtrënguar dorën dhe duke u dorëzuar medaljet e kampionëve.
Sipas Nicola Hickling, eksperte e njohur për leximin e buzëve, Trump u përsëriti të gjithë lojtarëve të njëjtën frazë.
“Je një kampion”, u tha ai fillimisht futbollistëve, ndërsa më pas shtonte edhe fjalët: “Lojtar i mrekullueshëm”.
Pamjet nga ceremonia treguan Trump duke shkëmbyer disa fjalë të shkurtra me secilin lojtar përpara se t’i vendoste medaljen ose t’i përgëzonte me një prekje në gjoks.
Spanja fitoi Kupën e Botës falë golit të Ferran Torres në minutën e 106-të të finales dhe, me këtë sukses, e çoi në 38 ndeshje serinë e saj pa humbje, duke vendosur një rekord të ri në futbollin ndërkombëtar.






















