Shakira ishte një nga figurat më të spikatura të finales së Kampionatit Botëror të Futbollit, duke tërhequr vëmendjen jo vetëm me performancën e saj energjike, por edhe me një veshje spektakolare të krijuar enkas për këtë event.
Këngëtarja kolumbiane u shfaq në skenë me një kostum ekskluziv të shtëpisë së modës Roberto Cavalli, i dizajnuar posaçërisht nga drejtori kreativ Fausto Puglisi.
Realizimi i veshjes kërkoi më shumë se dy javë punë dhe u zbukurua me plot 200 mijë kristale Swarovski. Dizajni, i frymëzuar nga ngjyrat e perëndimit të diellit dhe i bazuar në motivin karakteristik “Golden Ray”, u konceptua për të reflektuar dritat e stadiumit, duke i garantuar njëkohësisht artistes liri të plotë lëvizjeje gjatë performancës.
Kostumi u kompletua me një fund në të njëjtën gamë ngjyrash, ndërsa në skenë Shakirës iu bashkuan 34 balerinë, të veshur me kostume të koordinuara me stilin e saj.
Besnike imazhit që e ka shoqëruar ndër vite, artistja u prezantua me flokët e lëshuar dhe një grim natyral, duke lënë që vëmendjen ta rrëmbente performanca e saj.
Me interpretimin plot ritëm dhe koreografinë dinamike, Shakira dhuroi një nga momentet më të paharrueshme të finales së Botërorit, duke ndezur atmosferën në stadium dhe duke fituar duartrokitjet e mijëra tifozëve të pranishëm.






















