Një histori e pazakontë mes Italisë dhe Shqipërisë ka përfunduar në qendër të vëmendjes së mediave italiane. Rreth 350 shezlongë, të vjedhur në vitin 2024 nga një klub plazhi në Itali, janë identifikuar më vonë në një resort bregdetar në Kepin e Rodonit, në veri të Durrësit, me logon e biznesit italian ende të dukshme.
Sipas të përditshmes italiane Il Resto del Carlino, shezlongët u zhdukën brenda një nate nga plazhi Onde Chiare në Via Fenulli, në Reggio Emilia. Pajisjet, me një vlerë mbi 45 mijë euro, u vodhën nga autorë që nuk janë identifikuar ende.
Surpriza erdhi një vit më vonë, kur një mik i pronarëve, gjatë pushimeve në Shqipëri, dalloi në një resort në Kepin e Rodonit shezlongë identikë me logon e Onde Chiare. Fotot dhe videot e dërguara në Itali bënë të mundur identifikimin e menjëhershëm të tyre.
Pronarët e klubit, Alberto Costoli dhe Enrico Cavazzoni, i besuan çështjen avokatit Gianluca Dallari, i cili, në bashkëpunim me një përfaqësues ligjor në Shqipëri, nisi procedurat për rikuperimin e pronës.
“Madje menduam të vinim vetë në Shqipëri për t’i marrë, por zgjodhëm rrugën ligjore”, tha Costoli.
Sipas tij, autoritetet shqiptare duhej t’i kishin sekuestruar shezlongët sapo u identifikuan, por kjo nuk ndodhi.
“Në teori, ato duhej të ishin vendosur nën sekuestro. Në praktikë, një klient i yni që ishte së fundmi në Durrës na dërgoi një video ku shezlongët vazhdojnë të përdoren normalisht nga pushuesit”, deklaroi ai.
Pasi nuk morën një zgjidhje, drejtuesit e klubit vendosën ta bëjnë publik rastin, duke kontaktuar mediat italiane dhe emisionin investigativ “Le Iene”, si edhe duke kërkuar vëmendjen e institucioneve shqiptare.
Megjithatë, Costoli thekson se kjo ngjarje nuk ndryshon perceptimin e tij për bashkëpunimin me shqiptarët.
“Kemi punuar prej vitesh me furnitorë shqiptarë dhe nuk kemi pasur kurrë probleme. Shpresojmë vetëm që dikush të interesohet për këtë rast, sepse nuk dimë më kujt t’i drejtohemi”, u shpreh ai.
Në përpjekje për të tërhequr vëmendjen, klubi publikoi edhe një postim në rrjetet sociale që u bë viral.
“Nëse shkoni me pushime në Kepin e Rodonit, përshëndetni shezlongët tanë! Tingëllon si shaka, por fatkeqësisht është e vërtetë”, shkruhej në mesazh.
Pronarët thonë se kanë dorëzuar dokumentacionin, kanë përkthyer aktet dhe kanë përballuar shpenzime ligjore në Itali dhe Shqipëri, por edhe pas më shumë se një viti nga identifikimi i shezlongëve, ato vijojnë të ndodhen në të njëjtin resort.
“Duam vetëm të kuptojmë si është e mundur që një vjedhje me vlerë 45 mijë euro, me pronën e identifikuar dhe të dokumentuar prej më shumë se një viti, ende nuk ka marrë zgjidhje”, shprehen pronarët.
Rasti ka marrë qindra shpërndarje dhe mijëra reagime në rrjetet sociale, ndërsa pronarët shpresojnë se presioni mediatik do t’i shtyjë autoritetet të ndërhyjnë për zbardhjen dhe zgjidhjen e kësaj historie të pazakontë.






















