
Kur tabloidi britanik Daily Mail zgjodhi titullin “It’s Dua v Ivanka in battle of the beachfront villas” (“Dua kundër Ivankës në betejën e vilave buzë detit”), shumica e lexuesve panë thjesht një mënyrë tipike tabloidesh për të dramatizuar konfliktin mes Dua Lipës dhe Ivanka Trump lidhur me projektin turistik në bregdetin shqiptar.
Por, për këdo që njeh historinë e kësaj zone, zgjedhja e fjalëve ngre një pikëpyetje interesante.
Pse “battle of the beachfront villas” dhe jo “battle over the resort”, “battle over Sazan” apo “battle over Albania’s coast”? Pse pikërisht vilat?
Në pamje të parë mund të duket një detaj i parëndësishëm. Megjithatë, nuk përjashtohet që tabloidi britanik të ketë zgjedhur me vetëdije një formulim që mbart edhe një dozë ironie.
Në fund të fundit, si Ivanka Trump ashtu edhe Dua Lipa kanë një lidhje me një tjetër kompleks vilash buzë detit: Kep Merlin, resortin ekskluziv në jug të Shqipërisë.
Jo pa ironi, të dyja kanë kaluar pushime në të njëjtën vilë në Kep Merli, shumë kohë përpara se të gjendeshin në anë të kundërta të debatit për zhvillimin e bregdetit shqiptar. Pikërisht ky detaj e bën edhe më intrigues përdorimin e shprehjes “battle of the beachfront villas”, e cila mund të mos jetë vetëm një figurë stilistike, por edhe një lojë e zgjuar fjalësh.
Artikulli i Daily Mail e paraqet Dua Lipën si figurën publike që është rreshtuar në mbështetje të protestuesve shqiptarë kundër projektit turistik prej 1.6 miliardë dollarësh të mbështetur nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit.
Gazeta kujton se këngëtarja shqiptaro-britanike, gjatë podcast-it të saj me shkrimtaren Lea Ypi, e cilësoi protestën “frymëzuese” dhe ngriti shqetësime për ndryshimet ligjore që, sipas saj, kanë cenuar mbrojtjen e zonave natyrore për t’i hapur rrugë investimit.
Nga ana tjetër, Daily Mail sjell edhe deklaratat e mëhershme të Ivanka Trump, e cila ka folur me entuziazëm për projektin që familja Kushner synon të zhvillojë në bregdetin shqiptar.
Pjesë e rëndësishme e artikullit janë edhe protestat e zhvilluara në Shqipëri, të cilat tabloidi i përshkruan si një lëvizje që tashmë ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, sidomos pas mbështetjes publike të Dua Lipës.
Megjithatë, është pikërisht titulli ai që tërheq më shumë vëmendje.
Daily Mail nuk shkruan askund se Dua Lipa dhe Ivanka Trump kanë një konflikt personal. Nuk përmend as Kep Merlin. Por zgjedhja e fjalëve duket mjaftueshëm e veçantë për të lënë vend për interpretim, sidomos për ata që njohin historinë e dy protagonisteve me rivierën shqiptare.
Në fund të fundit, tabloidet britanike janë mjeshtre të nëntekstit. Dhe ndonjëherë, një titull thotë shumë më tepër sesa vetë artikulli.
Prandaj mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet kjo histori në ditët në vijim dhe nëse mediat ndërkombëtare do të vazhdojnë ta trajtojnë si një përballje mes bjondes amerikane dhe brunës britanike me origjinë shqiptare. Dy gra të famshme, milionere dhe me ndikim global, që jo rastësisht janë magjepsur nga bukuritë e bregdetit shqiptar, por që sot gjenden në kahe të kundërta kur bëhet fjalë për të ardhmen e tij. Nëse Daily Mail e ka bërë këtë lidhje me vetëdije apo jo, mbetet një çështje interpretimi. Por është e vështirë të mos vërehet ironia që fshihet pas një titulli të tillë.























