
Kompania “Fusha” është një nga fitueset e tenderit të majmë të Autoritetit Rrugor Shqiptar për përmirësimin estetik të autostradës Tiranë-Durrës, ku nga gara janë skualifikuar ofertat më të arsyeshme.
Tenderi prej rreth 13.7 milionë eurosh, synon plotësimin e punimeve dhe gjelbërimin e këtij aksi rrugor, konkretisht nga sheshi "Shqiponja" deri tek nënkalimi i Limuthit. Punët që pritet të kryhen konsistojnë kryesisht në mbushje me dhe vegjetal, mbjellje bari, mbjellje të shkurreve dhe pemëve dekorative, si dhe në instalimin e një impianti automatik ujitjeje për sipërfaqet e gjelbëruara.

Sipas dokumenteve të procedurës, nga gjashtë kompani që shfaqën interes për këtë garë, ARRSH-ja ka skualifikuar tre prej tyre dhe ka shpallur fitues bashkimin e operatorëve “FUSHA” & “UDHA” & “TAULANT”. Kjo marrëveshje është lidhur me një ofertë prej rreth 9.7 milionë eurosh, e cila rezulton rreth 4.3 milionë euro më pak se vlera e fondit limit.

Megjithatë, pikëpyetjet mbi transparencën shtohen kur sheh se te kompanitë e skualifikuara bën pjesë edhe bashkimi i operatorëve “I.D.K-KONSTRUKSION” & “ELMAZAJ KONSTRUKSION”, të cilët kishin paraqitur ofertën më të mirë ekonomike, plot 9.4 milionë lekë më pak se fituesi.

Skualifikimi i ofertës më të lirë ekspozon sërish skemën e njohur të tenderave publikë, ku kriteret teknike shpesh përdoren si "filtër" i përshtatshëm për të mënjanuar ofertat më të mira.
Gjithashtu kjo procedurë është dëshmi e radhës se institucioni i drejtuar nga Ami Kozeli vijon të furnizojë me tendera kompanitë e pronarëve që janë nën hetim nga SPAK-u. Pas dy tenderave të Bypass-it të Elbasanit që shkuan për kompanitë e Pëllumb Salillarit dhe Artan Sakos, të cilët gjithashtu janë subjekte në hetim nga Prokuroria e Posaçme, radhën e kishte Shkëlqim Fusha.
Emri i Shkëlqim Fushës është përfshirë zyrtarisht në hetimet e SPAK-ut në dosjen që lidhet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ku ai akuzohet për “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Ndaj tij, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa hetimet ndaj tij dhe rrethit të tij lidhen me dyshime për transaksione të fshehta financiare dhe kamuflim përfitimesh përmes organizatave joqeveritare të lidhura me bashkëshorten e kryebashkiakut.
Nga ana tjetër, subjekti “Fusha” vijon të renditet e para në listën e Open Data Albania si kompania që ka përfituar më shumë fonde publike gjatë 11 viteve të fundit.






















