
Protesta e 44-t kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama u zhvillua mbrëmjen e sotme në Tiranë, duke ruajtur të njëjtin format si në tubimet e mëparshme. Pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht në sheshin "Skënderbej", marshuan drejt Kryeministrisë dhe, pas përfundimit të fjalimeve, vijuan marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Gjatë fjalës së tij para Kryeministrisë, aktivisti Andi Tepelena deklaroi se, krahas kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit kërkojnë edhe ngritjen e një qeverie teknike. Sipas tij, ajo duhet të jetë jopartiake dhe e përbërë nga profesionistë, me qëllim reformimin e sistemit zgjedhor.
Tepelena u shpreh se Kodi Zgjedhor aktual ka dëmtuar garën e barabartë politike dhe ka penguar funksionimin e demokracisë. Ai theksoi se protestuesit kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, depolitizimin e komisioneve zgjedhore, akses të barabartë në fondet publike për partitë politike dhe krijimin e kushteve për një garë të ndershme mes forcave politike.
Aktivisti komentoi edhe qëndrimin e ambasadorit gjerman në Tiranë, Karl Bergner, duke vlerësuar se ai përbën një mbështetje për protestën paqësore të qytetarëve. Sipas Tepelenës, Gjermania ka qenë historikisht pranë Shqipërisë dhe vijon të mbështesë respektimin e vlerave demokratike dhe të drejtës për tubim.
Nga ana tjetër, aktivisti Ilir Xhemalaj u bëri thirrje intelektualëve të bashkohen me protestën dhe të kontribuojnë në kundërshtimin e qeverisë. Ai i ftoi ata të tejkalojnë, sipas tij, frikën dhe të marrin pjesë në tubimet qytetare.
Xhemalaj shprehu gjithashtu falënderim për këngëtaren Dua Lipa, duke vlerësuar deklaratat e saj në podkastin me Lea Ypin. Ai u bëri thirrje edhe artistëve të tjerë të ngrenë zërin kundër padrejtësive dhe të mbështesin protestën.
Në përfundim të tubimit, pjesëmarrësit brohoritën sloganin "Nesër më shumë!", duke theksuar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim. Më pas, ata marshuan përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke vijuar manifestimin me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.






















