
Protesta qytetare kundër qeverisë hyri këtë të diel në ditën e saj të 43-të, me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Sali Berisha. Si çdo mbrëmje, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin "Skënderbej" dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime.
Aktivisti Andi Tepelena njoftoi se të hënën, në orën 13:00, do të depozitohet një kallëzim penal në SPAK ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës".
Sipas Tepelenës, ky hap vjen pas deklaratës së kreut të Policisë, i cili ka bërë të ditur se po hetohen mbi 10 mijë qytetarë që kanë lënë vlerësime negative ("reviews") në rrjetet sociale. Ai argumentoi se një hetim i tillë nuk mbështetet në asnjë bazë ligjore, pasi Kodi Penal nuk parashikon asnjë vepër penale që lidhet me vlerësimet e qytetarëve në rrjetet sociale. Gjithashtu, ai u bëri thirrje qytetarëve t'i bashkohen nismës dhe të firmosin kallëzimin penal pranë SPAK.
"Të hënën, në orën 13:00, para SPAK-ut do t'i përgjigjemi me një kallëzim penal drejtorit të Policisë, duke kërkuar hetimin e tij për shpërdorim detyre. Me këtë rast, ftojmë çdo qytetar të vijë dhe ta firmosë kallëzimin", deklaroi Tepelena.
Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët kryesore të Tiranës, duke shënuar ditën e 43-të të protestës qytetare. Organizatorët deklaruan se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në arritjen e objektivit të tyre për largimin e qeverisë.






















