Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të shtune në qytetin e Korçës, ku një zjarr i rënë në një apartament i ka marrë jetën një 72-vjeçari.
Sipas informacioneve paraprake, flakët përfshinë një banesë në katin e parë të një pallati në lagjen nr. 15, pranë pastiçerisë “Tasho”. Tymi u përhap me shpejtësi në të gjithë godinën, duke bërë të nevojshëm evakuimin e banorëve.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e policisë, të cilat punuan për shuarjen e flakëve dhe nxjerrjen në siguri të banorëve.
Si pasojë e asfiksisë, humbi jetën pronari i banesës, shtetasi me inicialet U. H., 72 vjeç, i cili ndodhej brenda apartamentit në momentin e zjarrit.
Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga pakujdesia, por shkaku i saktë mbetet ende i paqartë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të rënies së zjarrit.






















