Administrata Tatimore duket se e ka të qartë prioritetin e saj: jo ekonominë informale miliardëshe, por individët dhe bizneset që janë më të lehta për t’u kontrolluar. Sipas njoftimit zyrtar, deri më 30 qershor 2026 janë kontrolluar 129 individë, ku janë konstatuar rreth 770 mijë euro detyrime, ndërsa objektivi është që deri në fund të vitit të auditohen 200 persona, në kuadër të Axhendës së Reformave.
Po sipas Tatimeve, gjatë këtij viti janë nisur 144 kontrolle të reja, të bazuara në analizën e riskut dhe të dhënat e siguruara nga palë të treta. Administrata e paraqet këtë si pjesë të modernizimit të sistemit tatimor dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, shumë sipërmarrës të vegjël kanë një perceptim krejt tjetër: se shteti është i pamëshirshëm me ata që hapin një aktivitet, paguajnë taksa dhe përpiqen të mbijetojnë në treg, ndërsa skandalet me evazionin e madh, kontrabandën dhe aferat shumë milionëshe vazhdojnë të krijojnë perceptimin se goditen më rrallë. Për biznesin e vogël, “modernizimi” shpesh përkthehet në një kontroll më shumë dhe një barrë më të rëndë administrative.
Ky është kontrasti që vazhdon të ushqejë debatin: a po ndërtohet një administratë tatimore më efikase, apo thjesht një administratë që e ka më të lehtë të trokasë te dera e atyre që janë të dukshëm?






















