
Lionel Messi e pret me emocion të veçantë gjysmëfinalen e Kupës së Botës ndaj Anglisë. Kapiteni i Argjentinës pranoi se kjo përballje ka një domethënie të veçantë për të, pasi do të jetë hera e parë që përballet me kombëtaren angleze me fanellën e "Albiceleste".
"Është një ndeshje e veçantë, sepse është hera e parë që luaj kundër një skuadre si kjo. Kam luajtur kundër të gjithëve, përveç Anglisë. Është e veçantë sepse janë një skuadër e shkëlqyer, një fuqi e vërtetë dhe është gjithmonë kënaqësi të luash kundër ekipeve të tilla", u shpreh Messi.
Ylli argjentinas theksoi se në këtë fazë të turneut prioritet mbetet rikuperimi fizik, duke pasur parasysh ngarkesën e madhe të ndeshjeve.
"Tani po përpiqem të pushoj, sepse kemi kaluar një periudhë me shumë ngarkesë dhe lodhje, të cilën e ndjen e gjithë skuadra. Synimi im është të jem në gjendjen më të mirë të mundshme për të vazhduar të garojmë siç kemi bërë deri tani", deklaroi sulmuesi nga Rosario.
Anglia mbetet i vetmi rival i madh që Messi nuk e ka përballuar kurrë me kombëtaren e Argjentinës, as në ndeshje zyrtare, as në miqësore dhe as në kategoritë e tjera të përfaqësimit kombëtar. Për një futbollist me një karrierë kaq të pasur, kjo ka qenë një nga boshllëqet e rralla në historinë e tij ndërkombëtare.
Përballja e fundit mes Argjentinës dhe Anglisë u zhvillua në një ndeshje miqësore më 12 nëntor 2005. Edhe pse Messi ishte pjesë e listës së grumbulluar nga trajneri José Pékerman dhe kishte marrë pjesë në eliminatoret e Botërorit, ai mungoi në atë takim për shkak të pezullimit pas kartonit të kuq të marrë në debutimin e tij ndaj Hungarisë.






















