Argjentina është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Zvicrën me rezultatin 3-1 pas kohës shtesë, në një sfidë që u vendos vetëm në minutat e fundit.
Kampionët në fuqi kaluan të parët në avantazh me Alexis Mac Allister, por Zvicra reagoi dhe barazoi me Dan Ndoye, duke e dërguar ndeshjen në vazhdime.
Edhe pse Breel Embolo u ndëshkua me karton të kuq, zviceranët nuk u dorëzuan dhe zhvilluan një paraqitje mjaft të fortë, duke i vënë në vështirësi argjentinasit deri në fund.
Megjithatë, epërsia numerike rezultoi vendimtare. Julian Alvarez shënoi golin e avantazhit në minutën e 112-të me një goditje spektakolare, ndërsa Lautaro Martinez vulosi kualifikimin në minutën e 122-të, duke shfrytëzuar një top të kthyer pranë zonës.
Me këtë fitore, Argjentina siguron një vend mes katër skuadrave më të mira të turneut dhe në gjysmëfinale do të përballet me Anglinë, në një duel që pritet të jetë një nga më spektakolarët e këtij Botërori.






















