Barcelona nuk ka hequr dorë nga ideja për të transferuar sulmuesin argjentinas Julian Alvarez dhe po përgatit një tjetër ofensivë për ta sjellë atë në “Camp Nou” pas përfundimit të Kupës së Botës.
Sipas Diario Sport, klubi katalanas është gati të paraqesë një ofertë prej 130 milionë eurosh për Atletico Madridin, e cila konsiderohet edhe propozimi përfundimtar nga drejtuesit e Barcelonës. Katalanasit nuk kanë ndërmend të arrijnë shifrën prej 150 milionë eurosh, aq sa kishte ofruar më herët Real Madridi, ofertë që u refuzua nga klubi madrilen.
Barcelona ka vendosur të presë për zhvillimet pas Botërorit, duke i dhënë kohë Atletico Madridit të gjejë një zëvendësues për sulmuesin argjentinas. Një faktor që i jep besim klubit blaugrana është edhe dëshira e vetë Alvarezit për t’u bashkuar me Barcelonën gjatë kësaj vere.
Drejtuesit katalanas besojnë se pas përfundimit të turneut mund të ketë një moment vendimtar në negociata dhe shpresojnë të arrijnë marrëveshjen me Atletico Madridin.
Edhe pse paraqitjet e Alvarezit me Argjentinën në Kupën e Botës nuk kanë qenë në nivelin e pritur, Barcelona vazhdon ta shohë 26-vjeçarin si sulmuesin ideal për projektin e saj afatgjatë, veçanërisht pas largimit të Robert Lewandowskit.






















