Me fitoret e Argjentinës ndaj Egjiptit (3-2) dhe të Zvicrës ndaj Kolumbisë (0-0, 4-3 me penallti), është mbyllur faza e 1/8 së finales në Kupën e Botës 2026, duke u plotësuar edhe tabela e çerekfinaleve.
Në mesin e tetë skuadrave më të mira të turneut ndodhen gjashtë përfaqësuese evropiane, një afrikane dhe një nga Amerika e Jugut.
Pas 96 ndeshjeve të zhvilluara deri më tani, Botërori hyn në fazën vendimtare. E mërkura do të jetë dita e parë pa ndeshje, ndërsa deri në fund të turneut kanë mbetur vetëm tetë takime: katër çerekfinale, dy gjysmëfinale, finalja dhe sfida për vendin e tretë.
Çerekfinalet nisin të enjten me duelin Francë-Marok, ndërsa të premten do të përballen Spanja dhe Belgjika. Fituesit e këtyre dy sfidave do të ndeshen mes tyre në gjysmëfinale.
Nga ana tjetër e tabelës, të shtunën luhet përballja Norvegji-Angli, ndërsa faza çerekfinale do të mbyllet me supersfidën mes Argjentinës dhe Zvicrës.
Përballja mes kampionëve në fuqi të botës dhe Zvicrës së Granit Xhakës pritet të jetë një nga duelet më të forta të kësaj faze, me Lionel Messin që synon të udhëheqë Argjentinën drejt një tjetër gjysmëfinale.






















